Partitë e mëdha po hyjnë llugave

Analisti Ardian Arifaj mendon se nuk ka asnjë rrezik nëse hapet Kushtetuta dhe ndryshohet. Ai thotë se problemi është tek partitë e mëdha shqiptare që po hyjnë llugave, e jo tek pakicat. Sipas tij, thelbi i debatit duhet të jetë reformim i brendshëm i partive.

Lajme

21/12/2013 16:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar të shtunën se nuk ka reformë të mirëfilltë zgjedhore, pa ndryshime kushtetuese.

Kështu, ai e ka bërë të qartë qëndrimin e tij, i cili aktualisht po kundërshtohet nga subjektet tjera të mëdha politike, ndërkohë që ka mbetur e pazgjidhur çështja e ulëseve të rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës edhe për një mandat.

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se është pro reformës zgjedhore, por ka konstatuar se një hapje e Kushtetutës në këtë kohë do të ishte iracionale. Sipas tij, Kosova nuk ka kohë që të bëjë reforma të thella, sepse zgjedhjet nacionale janë vitin e ardhshëm.

Analisti Ardian Arifaj mendon se partitë politike e kanë zhvendosur debatin nga thelbi i problemit.

Në një intervistë për lajmi.net, ai thotë se problemi asnjëherë nuk ka qenë ndryshimi i Kushtetutës, por se problemi më i madh në Kosovës është demokratizimi i brendshëm i partive politike.

“E para, reforma ka qenë e ndarë në dy pjesë. Njëra merret me amendamentimin për zgjedhjet e përgjithshme, dhe kjo nuk kërkon që të ndryshohet Kushtetuta. Kushtetuta ndryshon vetëm në atë pikën ku kërkohet zgjedhja e Presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë.”

“Dhe, pika tjetër është kjo për vendet e rezervuara ose të garantuara për komunitetet. Nuk është problem në këtë procesin e reformës dhe asnjëherë nuk ka qenë problem Kushtetuta, ose për t’u ndryshuar Kushtetuta.”

“Asnjë nga liderët në politikë nuk po merret me thelbin e vetë problemit”.

“E problemi është që reforma të bëhet në mënyrë që të demokratizohen partitë politike, që të  hapen  partitë politike, për poste të reja, për hyrje të reja”.

“Kësaj çështje janë duke i ikur partitë politike dhe liderët e tyre.”

“E kjo gjë është ajo që e kërkon votuesi kosovar. Në zgjedhjet e 3 nëntorit dolën një numër i madh të votuesve në vend, të cilët votuan për partitë, por nuk votuan për liderët e partive politike, nuk votuan për njerëzit që kanë udhëhequr deri më tash”.

“Pra, ata po kërkojnë parti politike të reformuara”.

Arifaj thotë se procesi i reformës vetëm se do të përshpejtojë reformimin e brendshëm të partive politike.

“Nisja e reformave duhet të jetë një proces që do ta shpejtojë reformimin e brendshëm të partive politike”.

“Ajo që ka nevojë Kosova dhe ajo që ka nevojë votuesi kosovar – është që partitë politike të bëjnë demokraci përbrenda. Partitë të reformohen, që të kthehemi në një vend në pritje të demokracisë në Kosovë”.

“Ky duhet të jetë thelbi i debatit. E jo Kushtetuta dhe ndryshimet kushtetuese, se ka kohë që të ndryshohet Kushtetuta. Nëse ekziston vullneti që të ndryshohet, atëherë ndryshohet Kushtetuta”.

Arifaj nuk sheh asnjë rrezik nëse hapet Kushtetuta. Ai thotë se komunitetet jo-shumicë nuk paraqet rrezik për Kosovën, por e kundërta.

“Nuk është problem i Kosovës përfaqësimi i komuniteteve”.

“Problem i Kosovës janë partitë politike që po përfaqësojnë komunitetin më të madh, komunitetin shqiptar. Ata e kanë zhvendosur debatin prej thelbit të problemit”.

“Nuk ka rrezik prej hapjes së Kushtetutës, nuk ka rrezik prej partive që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë”.

“Rreziku dhe nevoja për ndryshime është tek partitë e mëdha që i ka Kosova. Ata po hyjnë llugave,  jo partitë e komuniteteve”, thotë Ardian Arifaj për lajmi.net.