Partia e Putinit drejt fitores mes pretendimeve për mashtrim me vota

Partia e presidentit Vladimir Putin, Rusia e Bashkuar, pritet të ketë një fitore tjetër të madhe në zgjedhjet parlamentare të vendit, pavarësisht rënies së mbështetjes.

Bota

20/09/2021 09:52

Partia shpalli fitoren disa orë pasi u mbyllën votimet të dielën në mbrëmje.

Kritikëve më të zëshëm të Putinit iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje dhe kandidatët që u lejuan të garojnë u kontrolluan shumë.

Ka pasur akuza të shumta për mbushje paraprake të fletave të votimit dhe votimin e detyruar.

Por komisioni zgjedhor rus hodhi poshtë pretendimet për parregullsi të përhapura.

Rezultatet fillestare treguan se me 64%të votave të numëruara, Rusia e Bashkuar kishte fituar gati 48%, e ndjekur nga Partia Komuniste me rreth 21%.

Të dielën mbrëma, një zyrtar i lartë i Rusisë së Bashkuar, Andrei Turchak, uroi një turmë mbështetësish në Moskë për atë që ai e përshkroi si një fitore të pastër dhe të ndershme.

Rezultatet e pjesshme tregojnë se pavarësisht se partia e Putinit ruajti me lehtësi shumicën në parlament, ajo humbi në terren. Në vitin 2016, partia fitoi 54% të votave.

Komunistët panë që mbështetja e tyre u rrit me 8%.

Shqetësimet mbi standardet e jetesës dhe akuzat për korrupsion nga kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexei Navalny ka të ngjarë të kenë ndikuar në mbështetjen për partinë e Putinit.

Por ai mbetet i popullarizuar me shumë rusë që e vlerësojnë atë me qëndrimin përballë Perëndimit dhe rikthimin e krenarisë kombëtare.