Partia e Fortë ua rritë pagat të papunëve

Partia e Fortë si gjithmonë premton më shumë se të tjerët. Premtimi i fundit dhe më i forti i këtyre ditëve, është se kjo parti ka vendosur që t’ua rrisë pagat për 40% të popullësisë të cilët aktualisht janë të papunë.

Lajme

26/03/2014 22:15

“Në frymën e rritjes së madhe ekonomike që po e përjeton Kosova vitet e fundit, e veçanërisht në javët që kemi lënë pas, kemi vendosur që të kontribojmë dhe më tutje në këtë hap të përparimit”.

Sipas Partisë së Fortë, rritja prej 350% për pagat e të papunëve është gjëja më normale që një parti e profilit të lartë si Partia e Fortë mund të bëjë.

Vendimin për këtë rritje e ka marrë i pari i kësaj partie, Kryetari Lexhendar Visar Arifaj, pasi që është konsultuar mirë e mirë me ekspertët e ekonomisë dhe të matematikës që kjo parti ka.

“Jam i bindur se rritja e pagave do të ndihmojë qytetarët e papunë që edhe ata të kenë rast t’i shijojnë pushimet verore. Sipas konsultave me grupin punues, mund të garantojmë që prej sivjet, vera do të jetë për të gjithë.”

“Shpresoj se ky akt nuk do të perceptohet si pjesë e fushatës parazgjedhore por si një akt i vullnetit të mirë dhe respektit që kam për popullatën në përgjithësi. Ky është vetëm një borxh që ua kemi të papunëve”, tha Visar Arifaj.

Për këtë rritje si duket janë gëzuar edhe nënkryetarët e kësaj partie. Sipas tyre rritja për 350% e pagave për të papunë është gjë shumë e mirë.

“Sipas projektit 1620/A1 është paraparë që në fakt papunësia të taksohet duke shtyrë kësisoj popullatën që të dalë nga papunësia, pra që ata të mos jenë të papunë. Por, ky projekt duket se për momentin është pezulluar dhe zëvendësuar me projektin e koduar 3500/A2”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra për Media dhe Propagandë e Partisë së Fortë.

Foto: Partia e Fortë / Facebook