Partia e Fortë okupon me flamuj vendet ku ka vota

Partia e Fortë ka planifikuar një strategji shumë të drejtpërdrejt për ta fituar votën e qytetarëve. PF synon të okupojë sa më shumë territore në mbarë Kosovën me anë të flamujve të tyre.

Lajme

29/05/2014 22:14

Sipas kryetarit lexhendar, flamujt gjatë historisë janë përdorur gjithmonë për të shënjuar pushtetin, qoftë të mbretërive, qoftë të shteteve a qyteteve.

\”Gjatë okupimeve, flamuri luan një rol vendimtar. Njësoj, edhe ne do të shkojmë në çdo vend ku ka vota dhe do t’i okupojmë ato me flamujt tonë”, deklaroi Visar Arifaj, raporton KosovaPress.

PF ka prodhuar dhjetëra flamuj, në të cilët shkruan “PF – Zonë e okupuar” që do të përdoren literalisht për atë arsye. Gjatë ditëve në vijim, Partia e Fortë do të vizitojë shumë pika që ajo i konsideron si strategjike në Kosovë dhe do t’i ngre këta flamuj në shenjë okupimi.

“Sonte po i shpallim Miqt’ si zonën e parë të okupuar nga Partia e Fortë, duke qenë se ky vend frekuentohet shumë nga të rinjtë e këtij qyteti dhe rinia është ajo që më së lehti i bindet vullnetit të partisë sonë”, tha Arifaj

Në agjendën e tyre, ndër vendet e shënuara për okupim në ditët që vijnë janë Ferizaj, Peja, Prizreni, Gjilani, Gjakova, Mitrovica etj. Deri në fund të fushatës, Partia e Fortë synon ta shpallë gjithë Kosovën zonë të okupuar.