Partia e Fortë njeh pavarësinë e Kosovës

Përfaqësues të Partisë së Fortë kanë komentuar në formën e tyre satirike ngjarjet kryesore gjatë vitit të gjashtë të shtetësisë. Ata kanë vendosur që në përvjetorin e gjashtë ta njohin Pavarësinë e Kosovës.

Lajme

17/02/2014 13:46

Partia e Fortë ka vendosur që zyrtarisht të njeh Kosovën në 6 vjetorin e Pavarësisë.

Këtë përvjetor të shtetësisë ata e quajnë si datë “histerike”.

Me anë të një komunikate, zyrtarë të kësaj partie kanë kujtuar momentet kryesore të vitit të gjashtë të shtetësisë.

“Sot, në këtë ditë madhështore po e festojmë përvjetorin e gjashtë të shpalljes së pavarësisë së shtetit gati më të ri në botë, Republikës së Kosovës”.

“Në prag të festimeve të kësaj date histerike, vendi ynë i cili po vazhdon me hapa atletik drejtë përparimit perpetual, në shkëmbim të zhvillimit ekonomik vendosi që asnjëherë mos ta lë pas syve historinë. Natyrisht, mënyra më e mirë e përkujtimit të vështirësive të dekadës së parafundit është ri-përjetimi i asaj kohe”.

“Skenat e policisë në përleshjet ledhatuese me studentët, me gaz lotsjellës në qytet, bastisjet nga njësitë speciale në lokalet e natës, rrethojat e larta pranë institucioneve, përmendoret e heronjve te armatosur e jo të viktimave civile, ngjyrat ushtarake të Neëborn-it, na e kujtojnë çdo moment se ne jetojmë në një botë të vrazhdë”.

“Krahas papunësisë, që ta bëjmë këtë situatë më autentike, do të ishte e udhës mbyllja e shkollave fillore dhe të mesme dhe riaktivizimi i mësimit në shtëpitë private. Është diçka që fëmijët tanë duhet ta përjetojnë se vetëm në këtë mënyrë mund ta kuptojnë rëndësinë e shkollimit. Në këtë mënyrë mund t’i mënjanojmë edhe telashet me kualitetin e derivateve për ngrohje”.

“Këtij manifestimi të fortë ushtarak i dha një shije të hidhur ajo puthja e disa vajzave në Sheshin Skenderbeu. Shprehja e dashurisë, në çfarëdo forme që është ajo, është gjëja më e dëmshme për kombin tonë të fortë”.

“Ky popull është i bindur që shprehja e dhunës është e vetmja që tolerohet. Dashuria i bën njerëzit të dobët kurse dhuna na kalitë, na bën të fortë si kuaj dhe na dërgon me galop te shpejte drejtë Europes”.

“Në vazhdën e njohjeve të rëndësishme të pavarësisë, përfshirë edhe atë nga Starbucks, simbolin e përparimit shoqëror, sot, zyrtarisht edhe Partia e Fortë e njeh Kosovën”.

“Ju ftoj të gjithëve që të dilni dhe të festoni me sa më shumë petardë, zhurma e të cilave është forma më e mirë për t’i kujtuar sakrificat tona ndër shekuj”.