Partia Demokratike e Kosovës reagon pas vendimit të Supremes për Komunën e Dragashit

12:06 | 25 Nentor 2021

Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me Komunën e Dragashit si dhe zgjedhjet lokale të zhvilluara në këtë komunë.

“Partia Demokratike e Kosovës e mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme e cila sot rikonfirmoi se votat që kishin ardhur me postë për Komunën e Dragashit ishin të manipuluara me qëllim të deformimit të rezultatit zgjedhor dhe cenimin e vullnetit të mijëra qytetarëve të Dragashit të cilët më 14 nëntor përmes një procesi fer e demokratik rizgjodhën Shaban Shabanin kryetar për mandatin e ri katërvjeçar.Partia Demokratike e Kosovës e vlerëson vendimin e Gjykatës Supreme dhe pret që riorganizimi i zgjedhjeve për votuesit me postë ta rikonfirmoj vullnetin e qytetarëve të Dragashit për fitoren e kryetarit Shaban Shabani”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Gjithashtu është thënë se qytetarët e Dragashit pavarësisht ku ata jetojnë, do të bashkohen dhe me vullnetin e tyre të lirë e duke mos lejuar manipulimin e vullnetit të tyre, do të votojnë për kryetarin e tyre që ka qeverisur mirë e me transparencë për zhvillimin e kësaj komune.

“Partia Demokratike e Kosovës fton Prokurorinë që të hetojë deri në fund dhe të ndëshkojë çdo person manipulues që ka guxuar të deformoj vullnetin e qytetarëve të Dragashit që jetojnë jashtë vendit.PDK fton të gjithë qytetarët e Dragashit që do të votojnë me postë që të votojnë lirshëm, pa presion e pa ndikime për kryetarin e Dragashit”./Lajmi.net/

Gjykata Supreme vendos që të përsëritet votimi nga jashtë për komunën e Dragashit