Parlamenti Evropian i Kulturës: Kosova duhet të pranohet si partnere në programin kulturor të BE-së

Parlamenti Evropian i Kulturës (ECP) ka mbyllur sot punimet e sesionit në 13-të që u mbajt nga data 3 tetor në Prishtinë. Ata kanë kërkuar që edhe Kosova të pranohet si partnere në programin kulturor të Bashkimit Evropian. 

Lajme

05/10/2014 20:04

Me këtë rast, rreth 100 anëtarët pjesëmarrës nga Evropa kanë nxjerrë një Deklaratë për Ukrainën dhe Rezolutën e Sesionit, në të cilën përveç të tjerash inkurajojnë Bashkimin Evropian që të përfshijë Kosovën në programet kulturore. ECP po ashtu vlerëson lartë rolin që shteti i Kosovës po i jep kulturës.

Gjatë tri ditëve janë diskutuar tema të ndryshme, ndër të cilat; roli i diplomacisë kulturore, artistët dhe barazia gjinore, roli i artistëve në konflikte, popullizmi në Evropë, e  tema të tjera. Po ashtu gjatë këtyre ditëve pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të shohin trashëgiminë kulturore të Kosovës. Për ta është organizuar edhe një koncert nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve ‘Shota’.

Anëtarët e ECP-së kanë vlerësuar lartë organizimin sesionit të 13-të dhe kanë falënderuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Këshillin Britanik në Kosovë për mikpritjen.