Parlamenti Europian i gatshëm ta ndihmojë Kosovën

Eurodeputetja Tanja Fajon thotë se Parlamenti Europian do ndihmojë Kosovën në procesin e integrimit. Ajo kërkon që angazhimi i institucioneve të vendit të jetë në implementimin e standardeve të caktuara.

Lajme

20/02/2014 16:08

Eurodeputetja Tanja Fajon thotë se Parlamenti Europian do të bëjë çdo gjë që është e mundur për të ndihmuar Kosovën në integrim, mirëpo, sipas saj, nevojitet angazhim i institucioneve të vendit në implementim e standardeve të caktuara.

Këto komente Fajon i ka bërë gjatë takimit me Ministrja e Integrimit Evropian,Vlora Çitaku, ku është diskutuar për progresin në Kosovë, Liberalizimin e Vizave dhe për avancimin e proceseve integruese europiane.

Në një komunikate të Ministrisë së Integrimit thuhet se në këtë takim, Çitaku dhe Fajon kanë folur edhe për përfundimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

“Ministrja Çitaku dhe znj. Fajon kanë biseduar më në detaje për finalizimin e procesit të Liberalizimit të Vizave për Kosovën, në mënyrë që ky kapitull të përfundojë sa më parë dhe të fillojë realizimi i lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës”.

“Po ashtu u diskutua për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por edhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duke marrë për bazë qasjen proaktive dhe kontrubutin e Kosovës në raport me përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe progresin rajonal”.

“Duke vlerësuar lart kontributin dhe përcaktimin e zonjës Fajon që t’i kontribuojë avancimit të Kosovës në raport me integrimin europian, Ministrja Çitaku tha se Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke bërë maksimumin për t’i përmbushur rekomandimet dhe obligimet që dalin nga udhërrëfuesi për Liberalizimin e Vizave për Kosovën”.

“Ministrja Çitaku po ashtu shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e gjithanshëm të bashkëpunimit bilateral me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian. Por, gjithashtu edhe rëndësinë e bashkëpunimit me Parlamentin Europian”.

“Ndërsa Eurodeputetja Fajon theksoi se, së bashku me kolegët e saj nga Parlamenti Europian, do të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Po ashtu, znj. Fajon theksoi rëndësinë që fokusi i angazhimit të institucioneve të vendit të jetë në implementimin e standardeve të caktuara për këtë proces”.