“Parku i Paqes” mbi urën e Ibrit (video)

Goran Rakiq thotë se në vend të barrikadës, në urën e Lumit Ibër do të bëhet një park. Ndërsa, Besim Hoti njoftoi se barrikada është larguar nga qytetarët e Mitrovicës së Veriut. 

Lajme

18/06/2014 16:04

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq ka marrë vendim që të në vend të barrikadës e cila ishte e vendosur në urnë e Lumit Ibër, të ndërtohet parku i quajtur “Parku i Paqes”.

Ai tha se këtë vendim e ka marrë në bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë. Rakiq ka vlerësuar se kjo urë, që kohëve të fundit ishte simbol i ndarjes së popujve, tash e tutje do të ketë funksion për t’i bashkuar ata.

“Pas diskutimeve të gjata dhe në konsultim me Qeverinë e Serbisë, kam marrë vendim që të ndërtojmë parkun e paqes mbi urën e Lumit Ibër”.

“Siç e dimë, urat në të gjithë botën shërbejnë për t’i lidhur njerëzit, por kjo ura jonë, fatkeqësisht ka shërbyer për ndarje dhe pamundësisë për të krijuar një jetë normale në mes të pjesëtarëve të komunitetit serb dhe atij shqiptar”.

“Ura jonë nuk dallon nga të tjerat të ndërtuara gjithandej nëpër Europë, por në rrethanat që gjendet, e ka humbur qëllimin e ekzistimit”.

Zëvendës Drejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e Veriut, Besim Hoti, ka thënë se barrikada është hequr nga vetë qytetarët e pjesës veriore të Mitrovicës.

Ai premtoi se policia do ta përcjellë në vazhdimësi situatën e sigurisë, gjatë këtij procesi.  

“Ne përshëndesim këtë veprim, dhe do të ndërmarrim të gjitha masat për të ruajtur rendin dhe qetësinë dhe që qytetarët ta shfrytëzojnë në mënyrë të sigurt këtë urë. Gjatë largimit të barrikadës nuk ka pasur tensione, por disa reagime pasi që ky veprim ka qenë i papritur për qytetarët”.