Paratë e burgut do t’i dhuroj për fëmijët e varfër

Jakup Krasniqi shprehet i gatshëm që mjetet që i takojnë atij si ish i burgosur politik, t’i dhurojë për financimin e studimeve të fëmijëve talentë të familjeve të varfra. Si fillim, propozon krijimin e “Fondit të Shoqatës se të Burgosurve Politikë”.

Lajme

29/12/2013 08:41

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se është i gatshëm për solidaritet. 

Krasniqi ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se është i gatshëm që mjetet që i takojnë atij si ish i burgosur politik, t’i dhurojë për financimin e studimeve të fëmijëve talentë të familjeve të varfra.

“Nëse Shoqata e të Burgosurve Politik e thërret Kuvendin e saj dhe bisedojnë për krijimin e një ‘Fondi të Shoqatës se të Burgosurve Politikë’, për të financuar studimin e fëmijëve talent të familje të varfra, duke dhuruar një përqindje për atë fond (nga ish të burgosurit që kanë një gjendje mesatare të jetesës), unë do t’i dhuroja për atë fond të gjitha mjetet që me takojnë për dhjetë vjetët e tre muajt e vuajtjes së dënimit tim në burgjet jugosllave”.

“Unë po kërkoj nga Shoqate në fjalë që ta marrë seriozisht këtë propozim timin të sinqertë”.

“Kërkesën po e bëj pse besoj fuqishëm në gatishmërinë e këtyre njerëzve që ne një kohë (në kohën më të mirë të jetës së tyre), kanë sakrifikuar shumë për popullin dhe atdheun tonë!”.

Në mbledhjen e saj të fundit, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për kompensimin e ish-të burgosurve politikë.

Kryeministri Thaçi ka thënë se ka qenë objektiv i Qeverisë dhe i tij personal çështja e zgjidhjes së ish-të burgosurve politikë në kohën e Jugosllavisë dhe pastaj dhe të Serbisë më vonë.

“Kjo kategori ka paraqitur gjithmonë një kategori të respektuar në shoqërinë kosovare. Janë njerëz që kanë sakrifikuar për ideal, për liri dhe në të njëjtën kohë kanë qenë si frymëzim për liri dhe pavarësi të Kosovës”.

Kryeministri ka bërë të ditur se kompensimi do të jetë 16 euro e 70 cent për një ditë, ndërsa shuma totale për të gjithë të burgosurit do të jetë 55 milionë.

Nga një përllogaritje e thjeshtë del se Kryeparlamentarit Krasniqi nga 10 vjet e tre muaj burg nga ky fond i ndarë për dëmshpërblimin e të burgosureve do t’i takojnë rreth 60 mijë euro për vitet e kaluara në burg.