Parashikimet tona

Pas pauzës dyjavore të ndeshjeve të barazhit për kualifikim në Kampionatin botëror 2014 dhe miqësoreve ndërkombëtare, rikthehen në aksion ligat më të mëdha evropiane. Njësoj sikurse në mesjavë kur publikuam parashikimet tona – kryesisht të saktë – për duelet e barazhit, tani ju sjellim të tjerat, për kryendeshjet në katër ligat kryesore të Evropës, për…

Sport

23/11/2013 08:00

Pas pauzës dyjavore të ndeshjeve të barazhit për kualifikim në Kampionatin botëror 2014 dhe miqësoreve ndërkombëtare, rikthehen në aksion ligat më të mëdha evropiane.

Njësoj sikurse në mesjavë kur publikuam parashikimet tona – kryesisht të saktë – për duelet e barazhit, tani ju sjellim të tjerat, për kryendeshjet në katër ligat kryesore të Evropës, për ditën e shtunë.

Premierliga

Everton – Liverpool

Derbi i Merseyside është gjithmonë ballafaqim i nxehtë. Liverpool është në formë të mirë, këtë e tregon edhe renditja në tabelë me vetëm dy pikë më pak se lideri Arsenal. Por, edhe Evertoni nuk qëndron keq, i gjashti por vetëm tri pikë prapa rivalit të qytetit.

Të dyja skuadrat kanë në dispozicion futbollistët më të mirë dhe do të jetë derbi i parë i Merseyside për menaxherin e ri të Evertonit, Roberto Martinez.

Romelu Lukaku ka shfaqur formë të mirë por në anën tjetër Luis Suarez dhe Daniel Sturridge paraqesin kërcënim konstant

Parashikimi: Barazim

Arsenal – Southampton

Southampton ka shkëlqyer deri më tani gjatë këtij sezoni, dhe mjafton të shihni Adam Llallanan dhe Jay Rodriguezin duke përcjellë Rickie Lamberin në ekipin e Anglisë, për të treguar se sa larg ka shkuar kjo skuadër.

Southamton gjendet në pozitën e tretë në Premierligë. Ekipi i menaxherit Mauricio Pochettino ka arritur disa rezultate të mahnitshme si barazimi në Old Trafford dhe fitorja në Anfield Road.

Mirëpo, tani do të kenë punë me liderin e tabelës, skuadër që duket e transformuar me ardhjen e Mesut Ozil nga Real Madrid andaj do ta kenë shumë të vështirë të nxjerrin pikë.

Parashikimi: Fiton Arsenali

West Ham – Chelsea

Chelsea duhet të këndellet. Pas humbjes 2:0 në udhëtim nga Newcastle United dhe barazimit 2:2 në minutën e 94-të të ndeshjes kundër West Bromwich Albion, skuadra e menaxherit Jose Mourinho duhet të rikthehet në lojë për kreun e tabelës.

Mourinho është fitues, jo trajner i cili përjeton kriza të rezultateve me skuadrën e tij.

Andaj, vështirë se do të lejojë një tjetër përballje pa pikë të plota, edhe pse nuk duhet nënçmuar fuqinë e West Hamit të udhëhequr nga një strateg si Sam Allardyce.

Parashikimi: Fiton Chelsea

La Liga

Barcelona – Granada

Barcelona telashe me futbollistë të lënduar. Përveq Lionel Messit dhe Jordi Albas, gjiganti katalan në javën e fundit mbeti edhe pa portierin Victor Valdes dhe mbrojtësin e djathtë Dani Alves.

Mirëpo, me futbollistët e tjerë që ka në dispozicion, trajneri Gerardo Martino do ta sigurojë fitoren në përballje me Granadan. Një statistikë tregon se Barcelona vuan pas pushimeve ndërkombëtare.

Në dy herët e kaluara këtë edicion, ajo mezi mposhti Sevillan 3:2 falë golit nga Alexis Sanchez në minutën e 93-të kurse luajti 0:0 në udhëtim te Osasuna

Parashikimi: Fiton Barcelona

Almeria – Real Madrid

Cristiano Ronaldo është në super formë. Nuk besoni? Pyeteni Zlatan Ibrahimovicin dhe Suedinë.

Ylli portugez shënoi katër herë ndaj tyre, përfshirë një het-trik në fitoren 3:2 ndeshjen e kthimit duke kualifikuar skuadrën e tij në Kampionatin botëror 2014.

Skuadra e trajnerit Carlo Ancelotti ka shënuar 15 gola në tri ndeshjet e fundit në La Ligë andaj mund të presim një goleadë tjetër.

Parashikimi: Fiton Real Madrid

Serie A

Napoli – Parma

Në xhiron e shkuar, Napoli pësoi keq nga Juventus duke u mposhtur me rezultat 3:0.

Skuadra e trajnerit Rafael Benitez duhet t’i rikthehet fitores në mënyrë që ta mbajë hapin me liderin Roma, që ka katër pikë më pak dhe përcjellësin Juventus që është në ‘bisht’ të Giallorossëve me një pikë më pak.

Të udhëhequr nga dëshira për t’u këndellur dhe motivimi i sulmuesit Gonzalo Higuain, Napoli pritet të ketë fuqi të tepërt për Parmën që ka pësuar pesë humbje si mysafir këtë edicion në Serie A.

Parashikimi: Fiton Napoli

Milan – Genoa

Milani nuk ka shënuar fitore në Serie A nga 19 tetori kur mposhti 1:0 Udinesen në San Siro. Rossonerët janë në pozitën e 10-të, 19 pikë prapa Romës.

Mjafton kjo pozitë katastrofale që ta kuptojmë se gjiganti italian ka nevojë për një fitore, në mënyrë që të tentojë rikthimin në rrugën e duhur. Genoa nuk do të jetë kundërshtar i lehtë, skuadër e ringjallur pas ardhjes së Gian Piero Gasperinit në postin e trajnerit në shtator.

Madje, ata janë mbi Milanin në renditje. Por, vetëm ndonjë tifoz i flaktë i tyre mund të besojë në ndonjë rezultat pozitiv në këtë përballje.

Parashikimi: Fiton Milani

Bundesliga

Borussia Dortmund – Bayern Munich

Borussia Dortmund është skuadra e vetme që i ka shkaktuar humbje Bayern Munichut këtë sezon.

Ekipi i trajnerit Jurgen Klopp e mundi gjigantin bavarez 4:2 në Superkupën e Gjermanisë në korrik. Mirëpo, në këtë duel skuadrat hyjnë në një pozitë tjetër, mjaft të pazakonshme duke pasur parasysh se të dyja vuajnë nga futbollistë të lënduar.

Dortmund nuk mund të llogaritë në asnjë nga mbrojtësit titullarë, të gjithë të lënduar. Kurse, Bayerni nuk do ta ketë mesfushorin Franck Ribery, Bastian Schweinsteigerin, Xherdan Shaqirin, Claudio Pizzarron dhe Holger Badstuberin.

Nga ata që janë në dispozicion, skuadra e Pep Guardiolës ka grup më të gjerë të futbollistëve kualitativ dhe mund t’i shfrytëzojë telashet e mëdha në mbrojtjen e ‘improvizuar’ të Dortmundit.

Parashikimi: Fiton Bayern