Paraqiten 7 raste për ryshfet, 8 persona të arrestuar

Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës raportojnë se nuk ka ndonjë incident madhor në procesin zgjedhor. Mirëpo, 8 persona janë arrestuar për shkak të marrjes apo dhënies së ryshfetit, ndërkaq një person është arrestuar sepse ka kërkuar që të votojë dy herë.

Lajme

08/06/2014 17:56

Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kanë vlerësuar se nuk ka ndodhur ndonjë incident madhor, i cili do të prishte procesin zgjedhor. Mirëpo, raportohet se deri më tani tetë persona janë të arrestuar për shkak të parregullsive në zgjedhje.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, nëpërmjet një konference për media, ka njoftuar se parregullsitë në zgjedhje kanë të bëjnë kryesisht me marrjen e ryshfetit.

“Kemi një rast prej 8 personave për dhënie dhe marrje të ryshfetit, 5 janë duke u intervistuar dhe tre të tjerë janë në kërkim”.

“Nga 7 raste të paraqitura në Polici, kemi 8 persona të arrestuar”.

“Kemi një person të arrestuar në Shipol sepse ka kërkuar që të votojë dy herë”.

Ndërkaq, Baki Kelani, nga PK, ka thënë se Policia ka pranuar edhe informacione të tjera dhe është duke u marrë me to.

“Ka disa raste që jepen si informacione dhe që janë duke u raportuar. Nuk ka ndodnjë incident madhor që do të mund ta prishte procesin”, tha ai.