Parandaluam veprimet ekstremiste
KFOR’i dhe EULEX’i kanë dhënë versionin e tyre për incidentet që ndodhën të dielën në veri. Këta dy mekanizma ndërkombëtarë të sigurisë, kanë thënë se me intervenimin e tyre, arritën të parandalojnë përshkallëzimin e veprimeve ekstremiste në këtë pjesë.
Lajme
Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Rendit dhe Ligjit – EULEX dhe Misioni i NATO’s në Kosovë -KFOR, kanë rrëfyer, bashkarisht, përmes një komunikate, rrjedhën e incidenteve të dhunshme, që ndodhën të dielën, gjatë votimeve në pjesën Veriore të Mitrovicës.
EULEX’i dhe KFOR’i, atë ditë kishin shkuar në Veri, siç thuhet në komunikatë, në ndihmë të Policisë së Kosovës, për të siguruar vendvotimet për zgjedhjet e 3 nëntorit.
“Atë ditë Policia e Kosovës e kishte rolin kryesor, si intervenuese e parë. EULEX’i ishte intervenuesi i dytë dhe KFOR’i ishte intervenuesi i tretë”.
“Në pajtim me përgjegjësitë e tij, EULEX’i menjëherë i ka ofruar Policisë së Kosovës ndihmë shtesë pas një sulmi të kryer në vendvotimin në veri të Mitrovicës, për t’i ofruar siguri personelit të OSBE’së dhe të Misionit Mbikëqyrës të BE’së që ishin dërguar atje”.
“Personeli i KFOR’it i dislokuar në veri intervenoi gjithashtu, duke dërguar personel shtesë, përfshirë Forcën për Reagim të Shpejtë, për t’i siguruar urat në lumin Ibër dhe për ta parandaluar kështu përkeqësimin e situates”.
“Në të njëjtën kohë, mbi atë zonë u dërgua një kompani tjetër e KFOR’it me helikopterë, duke i dërguar dy togje në Zveçan dhe dy togje tjera në Zubin Potok. Po ashtu, u angazhua edhe helikopteri i EULEX’it i cili e vërejti grupin e kryerësve të sulmit dhe i shpërndau ata”.
Qëllimi strategjik i KFOR-i dhe EULEX’it, thuhet në komunikatë, ishte që t’i ndalin keqbërësit nga sulmimi i vendvotimeve të tjera në komunën Veriore të Mitrovicës dhe në vendet tjera në veri të Kosovës.
“Kjo pati sukses, në veçanti në Zveçan, ku personeli i KFOR’it dhe i EULEX’it reaguan ndaj një trazire dhe shumë shpejtë e siguruan rendin dhe qetësinë”.
“Veprimet e ndërmarra nga EULEX’i dhe nga KFOR’i e ndalën në mënyrë efektive përshkallëzimin e dhunës prishjen e mëtejme të procesit të votimit”.
“Pastaj, personelin e OSBE’së bashkë me kutitë e votimit nga qendrat e votimit në komunën e Zveçanit, të Leposaviqit dhe të Zubin Potokut, EULEX’i i përcolli në mënyrë të sigurt deri në qendrën e numërimit në jug”.
“KFOR’i e mbështeti EULEX’in duke e siguruar lirinë e lëvizjes përgjatë rrugëve nëpër të cilat u bart materiali i votimit deri në qendrën e numërimit në jug”.
“EULEX’i i përcolli kutitë e votimit që kishin brenda një numër të madh të votave të qytetarëve të cilët në ditën e votimit dolën për t’i votuar përfaqësuesit e tyre”.
“Bashkërendimi ndërmjet EULEX-it dhe KFOR-it ishte i shkëlqyeshëm: ai mundësoi veprimin dhe reagimin e menjëhershëm dhe e parandaloi përshkallëzimin e veprimeve ekstremiste”.