Paralelizmi qeverisës – i rrezikshëm

Njohësi i proceseve politike, profesor Mazllum Baraliu, ka deklaruar se dy partitë e koalicionit qeverisës, PDK dhe LDK, rrezikojnë të bëjnë paralelizëm qeverisës, e kjo sipas tij do të mund të sillte rrënimin e perspektivës zhvillimore të Kosovës.

Lajme

05/01/2015 08:14

Ai në një intervistë për “Epokën e Re”, ka thënë se një veprim i tillë do të krijojë një qever jokompakte në zbatimin e politikave të saj.

“Do të dëshiroja të ketë zbatim të një programi unik qeveritar në interes të konsolidimit të shtetit. Të gjithë parametrat indikative flasin se mund të kemi një paralelizëm qeverisës, i cili do të sjellë një qeveri që nuk do të jetë shumë kohezive dhe kompakte në politikat e saj të zbatimit”, ka thënë ai.

Baraliu ka paralajmëruar se nëse nuk ndryshon logjika qeverisëse, atëherë Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa nuk do të sjellë ndonjë ndryshim pozitiv për qytetarët e Kosovës dhe, sipas tij, objektivat e kësaj qeverie do të jenë vështirë të realizueshme.

“Këto dy subjekte politike do të duhej ta merrnin seriozisht qeverisjen, sepse shteti i Kosovës është në rrezik të një mossuksesi të plotë dhe të rrënimit si perspektivë zhvillimore”, është shprehur Baraliu.