Paralajmëron ristrukturim të Degëve

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa kërkon që të bëhet analiza degë për degë e rezultatit të zgjedhjeve në Prishtinë dhe më pas ato t’i nënshtrohen një procesi të ristrukturimit. Ai sot takoi drejtuesit e dy degëve në Prishtinë.

Lajme

13/12/2013 14:37

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër në takimeve me degët e partisë, pas përfundimit të procesit zgjedhor, është takuar sot me strukturat drejtuese të Degës IV dhe V të Prishtinës.

Në këto takime raportohet se është vlerësua puna e degëve, procesi zgjedhor, rezultati i zgjedhjeve dhe u kërkua që të bëhen analiza dhe raportime të hollësishme nga secila degë.

Komunikata e lëshuar nga LDK thotë se Mustafa, i cili humbi në garën për Kryetar të Komunës së Prishtinës, ka kërkuar ristrukturim të këtyre, por edhe degëve tjera.

“Kryetari Mustafa ka kërkuar që të gjenden modalitete për stukturim edhe më të fuqishëm të këtyre dhe degëve të tjera në Prishtinë dhe në mbarë vendin, me qëllim që LDK’ja të jetë e përgatitur për zgjedhjet e përgjithshme”.

“Degët i dhanë mbështetje të plotë Kryetarit Mustafa për t’i vijuar reformat dhe për t’i bërë përgatitjet programore dhe të tjera, me qëllim që LDK-ja edhe në zgjedhjet e përgjithshme të dalë fituese, me rezultat edhe më bindës se në zgjedhjet lokal”, thuhet në komunikatën e LDK’së.