Paralajmërimi i Rusisë: SHBA-të sa më parë duhet të negociojnë me ne

Rusia ka aftësinë që t’i përgjigjet çfarëdo tentative të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dhunë.

Bota

15/04/2018 18:57

Kështu deklaroi drejtori i Departamentit të Kontrollit të Armëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, Vladimir Jermakov.

Sipas tij, Rusia do t’i kundërpërgjigjet SHBA-së në rast të veprimeve që nuk i shkojnë për shtati shtetit rus, transmeton lajmi.net.

“Ne do të kemi përgjigjen e merituar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rast të tentimit të çfarëdo lloj presioni të dhunshëm nga kjo e fundit. Herët ose vonë amerikanët do të detyrohen të negociojnë me ne. Dhe do të ishte më e mira për ta nëse ata e bëjnë një gjë të tillë sa më herët që të jetë e mundur, ngase teknologjia ushtarake amerikane është në rënie” deklaron Jermakov.

“Shtetet e përendimit duke qenë të paafta që të zgjasin periudhën e dominimit të njënashëm në çështjet e sigurisë botërore, po provokojnë nervozizëm, procedura jo-adekuate si dhe sanksione të ashpra. E gjithë kjo, ndikon në tensionimin e situatës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare” shton ai.

Jermakov shton se sipas tij, gara e armëve mes fuqive botërore nuk është një bllof siç quhet nga disa, por është një realitet i rrezikshëm që ka një ndikim shkatërrues, në stabilitietin botëror.

Ndryshe, raportet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tensionuar pas intervenimit ushtarak të kësaj të fundit së bashku me aleatët, Francën dhe Britaninë e Madhe, në Siri ndaj caqeve ushtarake të regjimit të Assadit./Lajmi.net/