Paralajmërimet e serbëve për bllokim të kufijve, MPJD bënë thirrje të shmangen pikëkalimet kufitare me Serbinë

Kryetari i të ashtuquajturit Asociacioni i Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, ka paralajmëruar se nga 6 shtatori, serbët do të organizojnë bllokada në të gjitha pikat kufitare me Kosovën. Sipas tij, bllokada do të zgjasë derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i vendit. Lidhur me këtë paralajmërim, Ministria e Punëve të…

Lajme

04/09/2024 22:39

Kryetari i të ashtuquajturit Asociacioni i Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, ka paralajmëruar se nga 6 shtatori, serbët do të organizojnë bllokada në të gjitha pikat kufitare me Kosovën.

Sipas tij, bllokada do të zgjasë derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i vendit.

Lidhur me këtë paralajmërim, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgimtarëve të mos kalojnë nëpër Serbi.

MPJD ka bërë thirrje që të përcjellin njoftimet zyrtare nga institucionet e Kosovës që mos të bien pre e dezinformatave.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo thirrje vjen pas paralajmërimeve të të ashtuquajturit “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili ka bërë të ditur se më 6 shtator 2024 planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës. MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”, thuhet në njoftimin e MPJD-së. 
Postimi i plotë i MPJD-së në Facebook: