“Parajsë e zhvatjes” në Stacionin e Autobusëve

Pagat në letër i kanë nga 250 euro, por Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes ‘Stacioni i Autobusëve’ i mori ato deri 700 për qind. Në vitin e kaluar ky Bord ka marrë paga deri në 2000 euro.

Lajme

23/05/2014 12:09

Gazeta Tribuna e posedon deklaratën e kompensimi të drejtorëve të Bordit, si dhe vendimin për të gjitha pagesat e bëra. Ato janë në kundërshti me vendimin e Deklaratës së kompensimit të cilin e posedon gazeta.

Kjo deklaratë që është miratuar vitin e kaluar, shuma mujore e honorarit themelor për kryesuesin e Bordit thuhet se është 300 euro, ndërsa për anëtarët nga 250 euro.

Honorari për anëtarët e Komisionit të Auditimit në formë të stimulimit të performancës është në vlerë prej 150 euro në muaj.

Kryesues i Bordit të Drejtorëve është Naim Neziri, ndërsa anëtarë të cilët janë pjesë edhe të Komisionit të Auditimit janë Gani Sopi, Defrim Byqmeti e Flamur Zeqiri.

Ky bord është formuar në shkurt të vitit 2013, kohë kjo kur ndërmarrja ka kaluar nga AKP-ja nën autoritetin e Komunës së Prishtinës.

Bordi që nga shkurti i vitit të kaluar asnjëherë nuk e kanë marrë pagën aq sa e kanë me vendim të Komisionit të Aksionarëve.

Pagat më të mëdha i kanë marrë në muajin dhjetor 2013, ndërsa me të marrë pushtetin Lëvizja Vetëvendosje, ata kanë marrë paga në shumë më të vogla, dhe gjatë gjithë kohës të njëjta.