Paraburgim për Ilir Dedën dhe Ylli Hoxhën

Ilir Dedës, Ylli Hoxhës dhe studentëve tjerë të arrestuar u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 48 orësh. Prokurorja pretendon se ishin përfshirë në veprat penale 'sulm kundër policisë dhe pengim të punës së tyr'. Avokati Tomë Gashi e quan vendim politik.

Lajme

07/02/2014 17:46

Ilir Dedës, Ylli Hoxhës dhe studentëve të tjerë të arrestuar gjatë protestës së sotme para Rektoratit të UP’së, u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.

Këtë vendim e ka marrë Prokurorja Fikrije Fejzullahu, e cila pretendon se ata kanë qenë të përfshirë në sulm ndaj Policisë dhe në pengimin e punës së tyre.

Avokati i Ilir Dedës, Tomë Gashi, për lajmi.net ka thënë se këto pretendime të prokurores janë të pavërteta.

“Prokurorja Fikrije Fejzullahu, e cila është Prokurore e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dhënë urdhër që të ndalohet Ilir Deda, Yll Hoxha dhe 30 studentë të tjerë, për pjesëmarrjen e tyre në protesta, që së paku sipas meje dhe disa të tjerëve kanë qenë paqësore”.

“Pretendimi i Prokurores është se kinse janë të involvuar në sulm ndaj Policisë dhe në pengimin e punës së Policisë”.

“Ilir Deda ka dhënë deklaratë dhe ka qartësuar krejtësisht se ajo nuk është e vërtetë, por është krejtësisht e kundërta, se me urdhër të disa pjesëtarëve të Policisë atij direkt i është gjuajtur spray dhe e ka rrezikuar paksa shëndetin e tij, duke përfshirë këtu pamjen e tij, saqë ka qenë e nevojshme të kërkohet ndihma e shpejtë për t’u pastruar fytyra e tij”.

“Tash është mirë, pasi që i është dhënë ndihma mjekësore”.

Avokati Tomë Gashi thotë se nuk ka asnjë arsye për arrestimin e tyre dhe se këtë vendim të Prokurores e quan politik.

“Ata po mbahen nëpër qendra të ndalimit në Prishtinë dhe pastaj do të dërgohen para një gjyqtari të procedurës paraprake, apo Prokuroria ndoshta do të tërhiqet nga ky vendim politik, sepse nuk ka kurrfarë arsye që të arrestohen”.

“Sigurisht që Rektori nuk ka mundur që t’i urdhërojë Policinë, por dikush prej instancave ka urdhëruar Prokurorin apo i ka sugjeruar, apo ka kërkuar prej saj, sepse nuk ka arsye ligjore për paraburgimin e studentëve.”

“Prokuroria ka kërkuar që t’i ndalin dhe nuk është vendim i shkruar. Tani për tani kjo është vetëm urdhër gojor i Prokurores dhënë Policisë”, thotë për lajmi.net avokati Tomë Gashi.