Paqeruajtësit afrikanë kanë përdhunuar gra e vajza në Somali

Pjesëtarë të caktuar të paqeruajtësve të forcave të Unionit Afrikan në Somali kanë shfrytëzuar seksualisht dhe kanë përdhunuar gra e vajza të zhvendosura, njoftoi të hënën organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Human Rights Watch.

Bota

09/09/2014 00:08

Në raport thuhet se nga viti 2013 është biseduar me 21 gra e vajza, të cilat kanë deklaruar se pjesëtarët e ushtrisë së Burundit apo Ugandës në dy baza në Mogadish kanë abuzuar apo i kanë shfrytëzuar për seks.

“Gjatë periudhës së përmendur janë regjistruar 10 raste të abuzimit seksual, duke përshirë edhe përdhunimet dhe sulmet seksuale, si dhe 14 raste të shfrytëzimit seksual”, theksohet në raportin e HRW.

Sipas pohimeve në raport, viktima më e re e përdhunimit ka qenë një vajzë 12-vjeçare. Vetëm dy nga 21 gratë dhe vajzat kanë dëshmuar dhe e i kanë paraqitur rastet në policinë somaleze apo autoriteteve tjera në vend.