Papërgjegjësi e institucioneve në Marali të Malishevës, nxënësit mbesin pa mësim shkaku i ndërtimeve në shkollë

Në të gjitha shkollat e Kosovës mësimi ka filluar të hënën që shkoi pas pushimit një javor, por jo edhe në shkollën "Ruzhdi Xhyliqi" në Marali të Malishevës.

Lajme

17/04/2021 16:59

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 (cikël ky i paraparë të mbajë mësim fizik nga java e kaluar), në shkollën Ruzhdi Xhyliqi nuk ka mbajtur mësim fare, shkruan lajmi.net.

Disa nga prindërit kanë dërguar ankesë në adresë të lajmi.net për të raportuar dëmin që po iu shkaktohet fëmijëve të tyre nga mosmbajtja e mësimit atje.

Si shkak për mosmbajtjen e mësimit prindërit për lajmi.net kanë thënë se është fakti se aktualisht është duke u ndërtuar kati i dytë i shkollës, gjë që sipas tyre mund të kishte ndodhur verës, kur shkollat janë në pushim.

Kryetari i prindëve të shkollës “Ruzhdi Xhyliqi”, Feim Hoxha për lajmi.net ka thënë se nuk është e vërtetë që nuk është mbajtur mësimi pasi është mbajtur në formën online.

“Nuk është mbajtur online sepse po vazhdon ndërtimi i katit të dytë. Online ka vazhduar mësimi. Në objekt nuk është mbajtur për siguri të nxanësve. Është informacion i gabuar se nuk është mbajtur mësimi”, tha Hoxha për lajmi.net.

Pavarësisht kësaj, prindërit që i kanë fëmijët në këtë shkollë thonë se mësimi nuk është mbajtur fare.

Në anën tjetër, Refki Hoxha i cili ishte Ushtrues Detyre i drejtorit të kësaj shkolle deri më datë 5 prill thotë se është arsimtar i ciklit lëndor dhe nuk ka informacione lidhur me mësimin e ciklit klasor nga klasa 1 deri në 5.

“Për tenderat dhe kohën si ka filluar nuk kam qasje, por ndërtimi ka filluar javën që shkoi, në pushimin që ishte, mirëpo moti nuk i ka lënë të punohet sa duhet. Tjera pengesa nuk ka, është duke u punuar. Unë nuk e di kur është fituar tenderi sepse nuk na ka takuar neve të dimë, ne jemi gëzuar që po bëhet ndryshim dhe po ndërtohet por nuk e dimë pse nuk ka filluar më herët”, tha Hoxha për lajmi.net.

Më tutje, ish- u.d i drejtorit Hoxha për lajmi.net tha se do të ishte mirë që ndërtimi të përfundonte në shtator, por problemet e natyrës së tillë nuk janë detyrë e menaxhmentit të shkollës.

Lidhur me përfundimin e punimeve, Hoxha thotë se është përmendur fundi i javës tjetër, por kjo sipas tij varet edhe nga moti.

“Më së miri do të ishte të fillojë në korrik dhe të përfundojë në shtator, por ato çështje kanë qenë tjera dhe nuk janë të shkollës, por kemi menduar se për 9 ditë që ishin pushim do të përfundojë, por moti i ligë me borë e shi nuk i la të kryenin punë 3-4 ditë dhe u vonuan. Prej të hënën që vjen, që fillon mësimi të gjitha shkollat, kam informacion se në një shkollë të afërt do të dërgohen nxënësit me autobus në një shkollë të afërt, ndërsa klasët 6 deri në 9 do të jenë online. Varet nga koha, nëse nuk na vonon koha, javën e ardhshme janë në pyetje, por javën tjetër besoj se mund të fillojmë. Plani është të fillohet javën e ardhshme mësimi fizik në shkollën tonë. Unë nuk jam më drejtor tani , por kam informacione se ky plan pritet të realizohet.”, tha Hoxha.

Ai tha se mësimi lëndor kanë mbajtur mësimin online, por brengosëse sipas Hoxhës është mungesa e madhe e pajisjeve elektronike për kyçje në ligjerata.

“Sa i përket mësimit lëndor janë online, por sa ka angazhim e sukses na brengos të gjithëve sepse edhe prindërit e nxënësit nuk janë të përgatitur sepse mungojnë pajisjet për kyçje në ligjerata online, ka mungesë të tyre e probleme të ngjashme.”, tha ai.

Në anën tjetër, gjatë javës së ardhshme pritet që nxënësit e ciklit klasor të shkollës “Ruzhdi Xhyliqi”, mësimin fizik ta zhvillojnë në një shkollë të afërt, derisa përfundimi i ndërtimeve të objektit të shkollës së tyre, nuk ka datë të saktë. /Lajmi.net/