Pantiq rrëfehet për kontrabandën në Veri

Krstimir Pantiq akuzon Beogradin për keqpërdorimin e fondeve të dedikuara për serbët e Kosovës. Ai thotë se Veriu dal nga dal do të detyrohet të pranojë Pavarësinë e Kosovës. 

Lajme

22/04/2014 13:57

Ish-kandidati i Listës Serbe për Kryetar të Mitrovicës së Veriut, Krstimir Pantiq, ka thënë se paratë e dedikuara për serbët e Kosovës, kanë humbur gjatë rrugës, ndërsa pjesa mbetur që ka arritur, sipas tij, është keqpërdorur.

“Sipas informatave të mia, në Gjykatën Speciale në Beograd janë dhënë dëshmi për keqpërdorimet që janë bërë në Kosovë. Paratë kanë humbur gjatë rrugës nga Beogradi për në Kosovë, ndërsa shuma e mbetur e cila ka arritur këtu, është keqpërdorur nga firmat lokale, politikanët lokal si dhe nga funksionarët e Beogradit”, thotë ish fituesi i zgjedhjeve për Kryetar të Mitrovicës së Veriut.

Pantiq në një intervistë për “Vesti”, thotë se derivatet e naftës nuk kanë ardhur fare në Kosovë, por janë zëvendësuar me vaj industrial.

“Këto veprime kriminale nuk i kanë bërë serbët nga Kosova, por dikush që gjatë asaj kohe ka qenë person me fuqi të madhe”.

Duke folur për përvjetorin e Marrëveshjes së Brukselit, Pantiq ka konstatuar se ky akt nuk ka nxjerrë fitues nga asnjëra palë. Ai gjithashtu, ka thënë se me këtë marrëveshje, Serbia i ka shuar disa nga institucionet e veta në Kosovë.

“Është gjetur zgjidhja më pak e keqe, një integrim i heshtur i Veriut në institucionet e Kosovës dhe për këtë është krijuar Marrëveshja e Brukselit. Serbët kanë fituar përfaqësuesit e tyre legal, por jo edhe legjitim, pasi që 80 për qind të serbëve nuk kanë votuar”.

“Nuk ka më institucione të Serbisë në territorin e Kosovës, dhe sipas tij, kjo po ngjallë frikë tek qytetarët serbë në këtë vend. Dhe në një të afërme, ata do të detyrohen të pranojnë të ashtuquajturën, Pavarësinë e Kosovës”.