Pantic i ofron koalicion Ivanovicit
Krstimir Pantic i dedikon fitoren e vet Qeverisë së Serbisë. Ai i ofron Oliver Ivanovicit koalicion për ta bërë shumicën në Asamblenë Komunale të Mitrovicës së Veriut.

Lajme
Kryetari i zgjedhur i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Krstimir Pantic i ka ofruar rivalit të tij, Oliver Ivanovic mundësinë që të bashkëqeverisin në këtë komunë, në përpjekje për ta bërë shumicën në asamblenë komunale.
Pak çaste pasi u konfirmua në krye të komunës së re, Pantic uroi Ivanovicin, për të cilin tha se ka marrë rezultat më të mirë se në raundin e parë.
“I dëshiroj fat në të ardhmen. Do t’i ofrojmë dhe do ta ftojmë në bisedime për formimin e shumicës në komunë. Të gjithë këshilltarët komunalë janë të mirëseardhur të marrin pjesë në punën dhe të marrin vendime të cilat janë të rëndësishme pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe fetare”, ka thënë Pantic.
Sipas Pantic, fitorja e “Listës Serbe” është fitore edhe e Qeverisë së Serbisë.
“Këtë fitore ia dedikoj qeverisë së Serbisë dhe njerëzve me ët cilët tash e disa muaj kemi bërë një luftë të vështirë, jo vetëm që t’i bindim qytetarët që kjo që po e bëjmë është e drejtë, por edhe t’i tejkalojmë të gjitha pengesat që na janë bërë në punën tonë”, është shprehur Krstimir Pantic.