Pantic heziton të pranojë rezultatet
Krstimir Pantic nuk është i sigurt nëse do të pranojë rezultatet e rivotimit në Veri të Mitrovicës. Ai shpreh brengën se ka pasur manipulime në numërim.

Lajme
Kandidati për Kryetar të Veriut të Mitrovicës nga radhët e “Listës Serbe”, Krstimir Pantic, heziton të pranojë rezultatet e zgjedhjeve në këtë komunë.
Ai ka shprehur shqetësim për faktin se numërimi i fletëvotimeve është bërë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, e jo në tri qendrat e votimit në Veri të Mitrovicës.
“Me vetë faktin se anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nenad Rikalo pati shfaqur shqetësimin për validitetin e votave, pasi që ato janë dërguar në Prishtinë, mjafton të na japë arsye që të dyshojmë për rezultatin e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Pantic, raporton agjencia serbe Beta.
“Materiali zgjedhor ka qenë jashtë kontrollit në më shumë se 4 orë, gjë që na bënë të dyshojmë në rregullsinë e zgjedhjeve. Nuk ka pasur asnjë arsye që fletëvotimet të numërohen në Mitrovicë”.
Sipas OSBE’së, materiali zgjedhor është dërguar në Qendrën e Numërimit në Fushë Kosovë.