Pantic duhet t’i respektojë ligjet e Kosovës

Oliver Ivanovic i sugjeron Kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Krstimir Pantic, të betohet me ligjet e Kosovës. Thotë se ka kërkuar nga ai ta bëjë një gjë të tillë. Konfirmon se ka filluar negociatat me Pantic për ta formuar qeverisjen e re lokale.

Lajme

25/12/2013 07:52

Koalicioni i mundshëm në mes të Oliver Ivanovic dhe Krstimir Pantic, për të qeverisur me Komunën e Mitrovicës së Veriut, mund të ndikojë në pranimin e institucioneve të Kosovës.

Oliver Ivanovic, i cili ishte kundërshtar politik për kreun e kësaj komune, ka vendosur që ta sugjerojë Kryetarin e sapozgjedhur nga Lista Serbe, Krstimir Pantic, që betohet me Kushtetutë dhe ligje të Kosovës.

Në një prononcim për lajmi.net, Ivanovic tha se zgjedhjet lokale janë mbajtur bazuar në ligjet e Kosovës. Dhe si rrjedhojë, kryetarët e sapozgjedhur, duhet të respektojnë këto ligje, ndonëse, sipas tij, për një gjë të tillë lypet kohë.

“Shikoni ajo është diçka e ndjeshme, duhet të koncentrohemi në çështjet lokale. Ne jemi të vetëdijshëm që ne kemi hyrë në zgjedhje në bazë të ligjeve dhe rregullave të Kosovës, domethënë ne vetëm nuk duhet ta provokojmë njëri- tjetrin, ky ka qenë sugjerimi im që të mos provokohen as shqiptarët, as të mos lejohen që shqiptarët të na provokojnë neve”.

“Unë e kam sugjeruar Panticin që të bindet mirëpo janë disa limitime, por sugjerimin e kam bërë”.

Ivanovic e ka konfirmuar se është në negociata me kryetarin e sapozgjedhur nga “Lista Srpska”, Krstimir Pantic, për të formuar një koalicion që do ta udhëheqë komunën e Mitrovicës së Veriut për një mandat katër vjeçar.

Bisedimet për një koalicion të mundshëm i ka konfirmuar edhe vet Pantic. Ai në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, tha se parimisht janë pajtuar, por kanë mbetur vetëm disa detaje në mënyrë që të finalizohet marrëveshja.

“Unë mund ta konfirmoj që kemi filluar negociatat dhe jemi marrë vesh për parimet. Parimi kryesor  për mua është që programin të cilin e kemi pas gjatë fushatës, ai program duhet të aprovohet”.

“Programi i listës SDP domethënë i listës sime duhet të aprovohet si program të cilin e përkrah edhe Komuna më tutje”.

“Kuptohet që jemi marrë vesh gjithashtu për ndarje në përgjithësi. Për mua me rëndësi është që situata në Mitrovicë do të ndryshojë sa më shpejt dhe duhet të koncentrohemi në çështje lokale dhe jo të merremi me çështje të politikës së lartë”.

“Këto dy parime i kemi pasur dhe për këto jemi marrë vesh”.

“Është fakt që ai i ka fituar zgjedhjet, tani ai e ka mundësinë që t`i iniciojë koalicionet. Koalicioni mund të ndodh vetëm nëse programi ynë i cili nuk ka qenë i kritikuar kurrë, për këtë unë po them që është mirë që të pranohet programi im, që të merremi me ujësjellësin, me mbeturinat, me kanalizimin, me parkingun etj. Atë e ka pranuar dhe për këtë kemi filluar negociatat”, ka thënë Ivanovic për lajmi.net