Panik në Serbi, 6 të sëmurë nën mbikëqyrje nga ebola

Në qytetin Kikinda të Serbisë, gjashtë persona janë vendosur nën mbikëqyrje shëndetësore me qëllim të parandalimit të sëmundjes së ebola-s, pasi bëhet fjalë për udhëtarë që kanë mbërritur nga Nigeria, Gaboni, Republika Jugafrikane dhe Mozambiku.

Lajme

18/08/2014 18:19

Këta persona do të jenë nën mbikëqyrje shëndetësore gjatë 21 ditëve të ardhshme, sa është koha e zhvillimit të kësaj sëmundje, shkruan  gazeta Dnevnik e Novi Sadit.

“Të gjithë këta gjashtë persona kanë punuar në anije dhe nuk kanë pasur kontakte me popullatën lokale”, deklaroi kryeshefja e shërbimit epidemiologjik në Kikindë, Tatjana Karaq.

Katër nga ta do të jenë nën mbikëqyrje për 21 ditë, ndërsa dy të tjerë do të kontrollohen për sëmundje të malaries apo ndonjë sëmundje tjetër ngjitëse.

Për këta persona raportohet se janë në gjendje të mirë shëndetësore, pa kurrfarë simptome të etheve hemorragjike virusale, apo të sëmundjeve tjera ngjitëse, andaj nuk ka nevojë për panik.

Shkaktar i sëmundjes ebola është virusi, kurse karakterizohet me temperaturë të lartë, si dhe gjakosje të tërë trupit.  

Këtë virus e përcjell edhe shkuarja e barkut dhe vjellja, kurse në 90 për qind të rasteve është vdekjeprurës.

Epidemia e ebola-s është shpallur në Nigeri, Sierra Leone, Liberi dhe Guine.