PAN-i vendos të mërkurën nëse do të merr pjesë në seancë

15:07 | 7 Gusht 2017

Koalicioni PAN të mërkurën do të vendos nëse do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës të thirrur për të enjten.

Me anë të një komunikate ky koalicion pretendon se Adem Mikullovci është vënë në shërbim të një partie.

“Me këtë vendim të njëanshëm, kryesuesi e seancës konstituive është vënë të shërbim të plotë vetëm të një subjekti politik, duke shkelur edhe parimin mbi të cilin ka ndodhur takimi i kaluar konsultues mes subjekteve politike parlamentare”, thuhet në komunikatë.

Lexo njoftimin e plotë”:

Koalicioni i PDK-së, AAK-së, Nismës për Kosovën dhe i partnerëve të tjerë, shpreh shqetësim për vendimin arbitrar të kryesuesit të seancës konstituive për vazhdimin e kësaj seance në ditën e enjte.

Me këtë vendim të njëanshëm, kryesuesi e seancës konstituive është vënë të shërbim të plotë vetëm të një subjekti politik, duke shkelur edhe parimin mbi të cilin ka ndodhur takimi i kaluar konsultues mes subjekteve politike parlamentare

Ky vendim i kryesuesit dëshmon se ai, bashkë me partinë Vetëvendosje, janë të interesuar që ta thellojnë edhe më shumë bllokadën në Kuvendin e Kosovës dhe jo të gjejnë një zgjidhje të përbashkët me grupet e tjera parlamentare.

Koalicioni i PDK-së, AAK-së, Nismës për Kosovën dhe i partnerëve të tjerë, qëndrimin për vazhdimin e seancës konstituive do e jap pas takimit konsultativ të vendosur me pajtueshmëri mes shumicës së subjekteve politike për të mërkurën në orën 10:00.

Koalicioni jonë është i bindur se oferta për shmangien e krizës përmes votimit të kryeparlamentarit dhe kryeministrit të ri me marrëveshje politike, do të përkrahet prej shumicës së subjekteve politike parlamentare.

Prandaj, zgjedhja e të nominuarit tonë për Kryetar të Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe e të nominuarit për Kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, përkundër përpjekjeve të tashme bllokuese në Kuvendin e Kosovës, janë procese të pandalshme politike. /Lajmi.net/