PAN-i opozitar – Plani i PDK-së e AAK-së për bashkëpunim jashtë Qeverisë

Për AAK-në dhe PDK-në kjo legjislaturë do të jetë ndryshe nga ajo e kaluara.

Lajme

17/10/2019 15:44

Kjo për shkakun se këto dy parti nuk morën votat e mjaftueshme që ua jep atyre mandatin për formimin e Qeverisë, shkruan lajmi.net.

Në zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën më 6 tetor, PDK u radhit si partia e tretë, AAK e katërt, që do të thotë se të dyja këto subjekte do të jenë forcë opozitare këtë legjislaturë.

E bashkëpunimi mes tyre, njëlloj si në kohën e koalicionit PAN po duket i vështirë të ndodh sipas analistëve politik.

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, po thotë se AAK dhe PDK do të jenë një kundërmasë për pozitën e re në Kosovë.

Ai nuk beson në bashkëpunim mes partisë së Veselit dhe Haradinajt, teksa sipas tij do të jetë shumë i vështirë rikthimi i besimit të qytetarëve në këto dy subjekte.

“Jo do të jetë shumë e vështirë, do të jetë një kundërmasë për pozitën e re në Kosovë, rikthimi i besimit tek opinioni për PDK-në dhe AAK-në është i vështirë për shkak të pasojave shumëvjeçare dhe dëmeve që i janë bërë qytetarëve. Bashkëpunim do të ketë shumë pak dhe konstruktiv, paralajmërimet po bëhen gjatë tërë kohës, sidomos të këtyre dy partive se do të jenë kujdestar për të gjitha veprimet e pozitës”, thotë ai.

Por kështu nuk po thonë nga dy subjektet e lartpërmendura.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në një takim që pati me shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se partia e tij do të jetë një opozitë shumë efikase, që në qendër të veprimtarisë do të ketë zërin e qytetarit dhe shtetin e Kosovës.

“Partia Demokratike do të jetë një opozitë efikase dhe konstruktive që do të ketë në qendër të veprimtarisë të saj zërin e qytetarit dhe interesin e shtetit të Kosovë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga zyra e Veselit.

Gjithsesi nga PDK nuk kanë pranuar të flasin zyrtarë tjerë lidhur me atë se a është diskutuar bashkëpunimi opozitar me AAK-në, dikur partner i koalicionit qeverisës.

E nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po thonë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Partinë Demokratike të Kosovës.

Ish-deputetja, Time Kadriaj, që me gjasë do të jetë edhe për një mandat në Kuvend si deputetja femër me e votuar në AAK, për lajmi.net thotë se subjekti ku ajo bën pjesë do të bashkëpunojë edhe me pozitën, mirëpo edhe me opozitën.

“Kjo çështje nuk është diskutuar ende në strukturat e partisë, mirëpo sigurisht që AAK do të vazhdojë të jetë gardian i shtetit në temat me interes nacional. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë jo vetëm me opozitën, por edhe me partitë që janë në pushtet për t’i çuar përpara temat me interes të veçantë”, thotë Kadriaj.

Kadriaj përjashton mundësinë që AAK të ketë sjellje të ngjashme me ato të LDK-së mandatin e kaluar, me lëshimin e seancave dhe me kundërshtimin e projektligjeve.

“…jo natyrisht, unë e them përsëri që AAK do të jetë gardian i shtetit dhe ne do të bashkëpunojmë për me pozitën për votimin e projektligjeve që janë në interes të qytetarit, por sigurisht do të kundërshtojmë fuqishëm ato që i bëjnë dëm vendit”, përfundon ajo.

E para se të formohet Kuvendi e Qeveria e re, analisti Blerim Burjani thotë se do të ketë mjaft vështirësi.

Sipas tij, në LDK ka skepticizëm se Vetëvendosje ka kapacitete të udhëheq me procese të rëndësishme, gjë që sipas tij e pamundëson një bashkim mes këtyre dy partive.

“Ka hezitime në LDK për koalicionin me VV-në. Pra LDK nuk beson se VV ka kapacitete me udhëheq me dhe të çojë përpara procese, pra këtu ka telashe kur dihet se VV nuk ka as program serioz dhe besim për të shtyer përpara procese. Çështja është se LDK frikësohet se do të ndodhë dështimi dhe do të bëhet cirk në shtet. Krejt çka mund të bëj një koalicion i tillë është lufta kundër korrupsionit, ndërsa tema tjera janë me gjasa të vogla të zgjidhen”, thekson Burjani.

Në një situatë të paqartë, në opozitë mund të përfundojë edhe partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate që është në koalicion me AKR-në.

Sidoqoftë, sfidë parësore për këto dy subjekte është kalimi i pragut prej 5%, që do t’ua mundësonte atyre hyrjen në Kuvend me gjashtë deputetë.

Aktualisht, AKR-Nisma kanë 4.99% të votave, teksa shpresa e fundit është në rinumërimin e më shumë se 500 vendvotimeve, si dhe numërimin e votave me kusht. /Lajmi.net/