Pamjet trishtuese nga liqeni i Badovcit

Mungesa e reshjeve atmosferike ka bërë që gjendja e nivelit të ujit nëpër liqenet prej nga furnizohen qytetarët me ujë të pijshëm të jetë alarmante. Zyrtarët bëjnë apel te qytetarët që të mos e keqpërdorin ujit.

Lajme

14/01/2014 17:27

Një liqe i madh, i shtjerrë gati në gjysmë, u qëndronte para sot katër peshkatarëve të cilët në qetësi prisnin që gjahu t’u binte në grep paraditen e së martes në Badovc, në afërsi të Prishtinës.

Tash e sa ditë, ata është dashur të zbresin më poshtë se zakonisht për ta bërë vendin e tyre.

Liqeni të cilin ata e vizitojnë shpesh është duke përjetuar rënie të paparë të nivelit të ujit, dhe kjo i ka alarmuar qytetarët e Prishtinës, të cilën ujin e këtij liqeni e përdorin për pije dhe nevoja të tjera jetësore.

Përveç Prishtinës, edhe banorët e Fushë Kosovës, Obiliqit, Shtimes, Lipjanit, Podujevës dhe Drenasit janë në alarm pasi që krahas Badovcit, edhe Liqeni i Batllavës është në gjendje të njëjtë.

Zbaticë që nuk mbahet të ketë ndodhur ndonjëherë në periudhë dimri, kur tradicionalisht këto liqene kanë pasur ujë me bollëk.

\"Liqeni \"Liqeni

 

Niveli i ujit në liqenin e Batllavës, prej nga furnizohen 65% e konsumatorëve të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ka rënë 11.70 metra nën kuotën maksimale, ndërsa në liqenin e Badovcit,  niveli i ujit ka rënë 13 metra nën kuotën maksimale.

Mungesa e reshjeve atmosferike ka bërë që rënia e nivelit të ujit nëpër liqenet e Kosovës të bëhet një problem i pashmangshëm.

 Tashmë si masë parandaluese, Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ka filluar që të aplikojë oraret e reduktimeve me ujë të pijshëm.

\"Liqeni

 

“Kufiri” i nivelit maksimal të ujit që ndahet me disa shkurre në tërë perimetrin e liqeneve tashmë duket i paarritshëm.

Sot Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti është takuar me përfaqësuesit e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Gjatë këtij takimi Ahmeti tha se nga ana e Komunës së Prishtinës do të merren hapa konkretë për parandalimin e keqpërdorimit të ujit nga ana e qytetarëve para se të fillojnë reduktimet më të mëdha, për shkak të gjendjes emergjente.

“Nga ana jonë do të ndërmarrim hapa konkretë për parandalimin e keqpërdorimit të ujit, me ritëm më të shpejtë në këtë gjendje emergjente, dhe se tash për tash nuk do të ketë reduktime shtesë”.

“Për Komunën tonë është prioritet, furnizimi i qytetarëve me ujë të pijshëm kështu që do të bëjmë gjithçka që ta realizojmë këtë, prej ankesave e kërkesave e deri te investimet konkrete për ta ndryshuar gjendjen”tha Shpend Ahmeti.

Po sot, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismalji ka pritur në një takim përfaqësuesit e Bordit të Dtrejtorëve të Kompanisë të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina, me të cilët ka diskutuar për sfidat e fundit që po ballafaqohet kjo kompani.

Ministri Ismajli theksoi se mbështetja e MZHE’së do të jetë për të gjitha ndërmarrjet publike me qëllim të përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Edhe përfaqësuesit e Ministrisë por dhe të KRU “Prishtina” bën apel tek qytetarët që të kursejnë ujin.

\"Liqeni

 

Kryeshefi Ekzektuv i në KRU “Prishtina”, Gjelosh Vataj, tha se kjo kompani po bën të pamundurën që të sigurojë furnizim të mjaftueshëm me ujë për të gjithë konsumatorët.

Ndërkaq Vataj tha se ka rezerva të ujit të pijshëm edhe për 3-4 muaj, por nëse nuk ka të reshura të mjaftueshme do të jetë problem.

Më parë, Ujësjellësi “Prishtina” kishte njoftuar se nëse do të ketë mungesë të reshjeve të shiut deri më datën 1 shkurt atëherë do të fillojnë reduktimet shtesë për qytetin e Prishtinës por dhe të komunave të tjera.