“Pamjet që vijnë nga Alepo janë tronditëse”

Sekretari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Ban Ki-moon, i ka bërë sot thirrje qeverisë së Sirisë, grupeve të armatosura dhe aleatëve të koalicionit ndërkombëtar që të mbajnë fjalën për lejimin e ndihmave humanitare.

Bota

07/12/2016 16:05

Pas një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz, Ban Ki-moon në konferencën për shtyp pas një pyetjeje për gjendjen e fundit në Siri tha se përpjekjet për një marrëveshje mes palëve nuk kanë dhënë rezultat.

Duke vënë në dukje se pamjet që vijnë nga Halepi janë vërtetë tronditëse, ai tha se OKB vazhdon të dërgojë ndihma në këto rajone, por ka shumë vështirësi për shkak të përleshjeve atje.

Ai ka thënë se edhe pse janë arritur disa marrëveshje për përfundimin e përleshjeve, ato janë shkelur në mënyrë shumë të lehtë. Ban ka vënë në dukje se edhe pse në kushte lufte, OKB ka dërguar ndihma humanitare për 5 milionë njerëz dhe ndihma mjekësore për 7 milionë qytetarë të Sirisë.

Rrugët, shkollat, spitalet, klinikat dhe burimet ujore janë shkatërruar në Siri, ka thënë Ban Ki-moon dhe më pas ka shtuar: “I bëj thirrje drejtuesve në Siri, grupeve të armatosura dhe njëkohësisht edhe pjesëtarëve të koalicionit ndërkombëtar të mbajnë fjalën e dhënë. Në këtë mënyrë do të kemi mundësi të çojmë në vend atë që duhet për ndihmat humanitare”.