Pamja e re e sallës në Pallatin e Rinisë

20:25 | 22 Janar 2014

7

Palestra e sportit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë tash ka tjetër pamje. Ajo ka ulëse të reja për tifozët, ulëse teleskopike në pjesën zyrtare si dhe kosha të rinj me vendosje nga dyshemeja. Dhe, ndeshja e parë në të i shkoi mjaft mirë Sigal Prishtinës që e mundi Kumanovën e rezultat të thellë 75:60 […]

Palestra e sportit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë tash ka tjetër pamje.

Ajo ka ulëse të reja për tifozët, ulëse teleskopike në pjesën zyrtare si dhe kosha të rinj me vendosje nga dyshemeja.

Dhe, ndeshja e parë në të i shkoi mjaft mirë Sigal Prishtinës që e mundi Kumanovën e rezultat të thellë 75:60 në kuadër të Ligës Ballkanike në basketboll, në praninë e një numri të madh shikuesish të akomuduar si kurrë më parë në ambientin e ri.

Ky renovim u bë i mundshëm nga një investim prej mbi 115 mijë euro i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Përurimi i renovimeve u bë sot nga Ministri Memli Krasniqi ku të pranishëm ishin edhe menaxherë të Pallatit dhe zyrtarë të klubeve që zhvillojnë gara dhe stërvitje në këtë sallë.

Ministri Krasniqi tha se renovimi i palestrës është një shërbim që i bëhet jo vetëm Prishtinës por gjithë sportistëve nga Kosova.

“Kjo është një shenjë se ne jemi të përkushtuar për të përmirësuar kushtet në sport në të mirë jo vetëm të sportistëve por edhe gjithë publikut. Është kënaqësi që kemi mundësinë të krijojmë kushte vërtetë meritore dhe të dinjitetshme”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se ngjashëm MKRS-ja ka investuar edhe në Palestrën 1 Tetori, e cila tash shfrytëzohet për aktivitete sportive dhe kulturore.

Ministri tha se MKRS-ja ka investuar për herë të parë edhe në stadiume anekënd Kosovës e po ashtu edhe në palestra ekzistuese por edhe ndërtimin e palestrave të reja. Sa i përket Prishtinës, Ministri përmendi se sivjet planifikohet të fillojë ndërtimi i stadiumit ndihmës të futbollit, pishina olimpike dhe qendra rinore.

Ai po ashtu tha se MKRS është e gatshme të ndajë mjete edhe për renovimin e stadiumit të qytetit, por për këtë pret një bashkëpunim edhe nga Komuna e Prishtinës.

Nga ana tjetër, Bajram Ukaj, Drejtori i Përgjithshëm i Pallatit të Rinisë falënderoi ministrin për mbështetjen, duke e vlerësuar lartë këtë investim. Ai tha se kjo është hera e parë që investohet në këtë palestër pas më shumë se 30 vjetësh.

Ukaj e vlerësoi këtë si diçka tejet të rëndësishëm për sportin dhe publikun në përgjithësi. Ai tha se menaxhmenti do të kryejë obligimet e veta për të shtuar efikasitetin në mirëmbajtje të sallës.