Palmer: Njohja reciproke Kosovë-Serbi do t’i zgjidhte mosmarrëveshjet mes dy vendeve
Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthw Palmer, ka thënë se SHBA-ja dëshiron të shohë normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, e cila do të nënkuptonte njohje reciproke.
Lajme
“Nëse ata do të njihnin njëri-tjetrin, do të mund të zgjidhnin çështje kontestuese si fqinj”, i tha Palmer
Sipas tij, është e nevojshme që Beogradi dhe Prishtina “të ulen në një tryezë, të arrijnë një marrëveshje dhe së bashku të hartojnë rrugën kah e ardhmja evropiane”.
Siç tha Palmer, arsye për bisedime është fakti që edhe Kosova edhe Serbia synojnë Evropën dhe është e domosdoshme të shihet se çfarë kompromisesh janë të nevojshme në mënyrë që të shkohet tutje.
“Nevojitet marrëveshje të cilën publiku në të dyja palët do ta pranojë dhe mbështesë si rrugën më të mirë përpara”, tha ai, dhe shtoi se është me rëndësi që ajo marrëveshje të jetë “e zbatueshme, e drejtë dhe e qëndrueshme”, tha Palmer në një intervistë për televizionin e sarajevas, N1, përcjell lajmi.net.
Palmer theksoi se ka bashkëpunim shumë të mirë me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell dhe se ky nuk është rasti i parë që SHBA-ja emëron dy përfaqësues specialë për të njëjtën çështje.
Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor tha tutje se Ballkani Perëndimor mbetet përparësi e politikës së jashtme të SHBA-së dhe se Uashingtoni dëshiron që vendet e rajonit të shohin SHBA-në dhe BE-në si “partnerë të zgjedhur të tyre”.
Palmer po ashtu theksoi se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë “familjes evropiane”. /Lajmi.net/