Pallaska: Kemi krizë politike, vetëm marrëveshja na nxjerr nga kjo

Nëse blloku synon ta përsërisë zgjedhjen e kryeparlamentarit, juristi Dastid Pallaska thotë se dihet cili do të ishte vendimi i Kushtetueses. Ai porosit të mendohet me kokë të ftohtë dhe rikujton se posti i kryeparlamentarit është ceremonial, ndërsa fuqia është te Qeveria.

Lajme

04/09/2014 22:38

Juristi i shquar dhe njohës i çështjeve kushtetuese, Dastid Pallaska ka thënë për RTK-në se situata e krijuar aktuale gabimisht është paraqitur si krizë kushtetuese, ose si probleme që rrjedh nga dispozitat kushtetuese. Sipas tij, kjo është krizë politike.

“Me vendimin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, jemi futur në një qark të mbyllur dhe marrëveshja është e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo. Por, është tejet ambicioze të arrihet ndonjë marrëveshje. Duhet me kokë të ftohtë të shqyrtohen opsionet që janë në dispozicion. Tani, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese, jemi në situatë që PDK-ja e ka të drejtën e propozimit të kryeparlamentarit, që nuk nënkupton në asnjë mënyrë se kryeparlamentari duhet të jetë vetëm i PDK-së, po aq sa nuk nënkupton se partitë e tjera janë të detyruara ta votojnë një kandidat të tillë. Mirëpo, një e drejtë e tillë, e cila nuk mund të konsumohet me sukses, është e pavlerë”, tha Pallaska për RTK.