Pako të dyshimta në Nju Jork

Në dy pika të Manhatanit në Nju Jork u gjetën të premten pako të dyshimta që shkaktuan çrregullime të trafikut dhe evakuimin e njërës prej nyjeve më të ngarkuara të transportit publik në qytet.

Bota

16/08/2019 23:38

Policia tha më vonë se paketat që u ngjanin tenxhereve me presion, ishin të padëmshme.

Zbulimi i pakove bëri që autoritetet të evakuonin udhëtarët nga një stacion metroje në Manhatanin e Poshtëm, gjë që shkaktoi çrregullime në shumë linja të tjera.

Policia mobilizoi një ekip për çaktivizimin e bombave dhe më pas tha në një deklaratë në Twitter se pakot nuk ishin pajisje shpërthyese.

Autoritetet amerikane janë treguar mjaft të ndjeshme ndaj tenxhereve me presion pas ngjarjeve në maratonën e Bostonit në vitin 2013, kur dy vëllezër me origjinë çeçene vranë tre vetë dhe plagosën më shumë se 200 duke aktivizuar dy pajisje të tilla shpërthyese.