Pakistan: Aeroplani i rrëzuar, kishte probleme me motorin

Piloti i aeroplanit të rrëzuar në Pakistanin verior, gjatë fluturimit, iu ka thënë kontrollorëve ajror se motori i aeroplanit ka probleme, njofton Aviokompania Ndërkombëtare e Pakistanit (PIA).

Bota

08/12/2016 11:10

Pak para se të humbiste kontaktin me kontrollorët e aeroportit, piloti ka lëshuar alarmin, ka thënë shefi i PIA-së, Muhmmad Azam Saigol, më 7 dhjetor.

Aeroplani i rrëzuar rreth 70 kilometra në veri të Islamabadit, fluturonte nga qyteti verior, Chitral për në kryeqytet.

Të gjithë, 47 personat në bordin e aeroplanit e kanë humbur jetën, njofton PIA, ndërsa hetimet për arsyet e rrëzimit po vazhdojnë.

Saigol njofton se është gjetur pajisja që regjistron të dhënat e aeroplanit.

Ai ka thënë se aeroplani i prodhuar para nëntë vjetësh është konsideruar “teknikisht në rregull” kur është inspektuar herën e fundit në muajin tetor.

Autoritetet kanë thënë se mbetjet mortore të pasagjerëve janë dërguar në spital për t’iu kryer teste të ADN-së dhe për identifikim.