Pakicat duan siguri
Ambasadori Daan Everts thotë se pakicave në Kosovë duhet vazhduar ulëset e rezervuara. Sipas tij, pakicat duan siguri në këtë fazë të krijimit të shtetit të Kosovës. Por kritikon ndërhyrjet e ndërkombëtarëve në çështje të brendshme të politikës kosovare.
Lajme
Ish Shefi i Misionit të OSBE’së në Kosovë, Ambasadori Daan Everts ka këshilluar liderët e partive shqiptare të Kosovës që ta vazhdojnë zemërgjerësinë e tyre në çështjen e ulëseve të rezervuara për serbët dhe pakicat tjera të Kosovës në Kuvend.
I kthyer në Kosovë pas disa vitesh, diplomati holandez ka thënë në një intervistë për emisionin “Info Magazinë” në Klan Kosova se në këtë periudhë të shtet-formimit të Kosovës, komunitetet pakicë duan siguri që interesat e tyre do të mbrohen në mënyrë adekuate.
“Duhet t’u ofroni komuniteteve siguri që interesat e tyre do të adresohen. Mos i dekurajoni njerëzit të jenë pjesë e procesit”.
“Nuk duhet të mënjanohen shumë herët këto garanca”.
“Mendoj se ne këto kohë ende ekziston nevoja për disa siguri speciale për komunitetet. Në shumë vende ekziston kjo. Garancitë e posaçme i bëjnë mirë demokracisë”.
“Në faza fillestare të krijimit të kombit duhet t’i krijoni kushte komuniteteve për pjesëmarrje në qeveri. Unë vetëm them që të jeni të kujdesshëm”, ka thënë Everts.
Ambasadori nga Holanda që ka drejtuar Misionin e OSBE’së në Kosovë që nga ditët e para të pasluftës deri në vitin 2001, ka thënë se shpreson që në komunat e pjesës veriore të Kosovës të ndodh normalizimi i situatës, pas zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën edhe atje.
Por ai nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet nëse serbët e atyre katër komunave e kanë pranuar Kosovën si vendin e tyre me aktin e daljes në zgjedhjet e organizuar nga institucionet e Kosovës.
“Të shohim se si do të funksionojë gjatë muajve në vijim. Shpresoj se do të ndodh normalizimi dhe të ketë pjesëmarrje të rregullt si në çdo demokraci”.
“Në vitin 2000 dhe 2001 dhe i kemi organizuar zgjedhjet e suksesshme kemi bërë përpjekje të madhe që njerëzit të na bashkëngjiten, pavarësisht a ishin serbë apo të tjerë. U kemi treguar se mospjesëmarrja çon vetëm te humbja, nëse jo afatshkurtër, atëherë afatgjatë. Në planin afatgjatë, ata duhet të mendojnë për interesin e vetes, ta menaxhojnë vendin”.
“Nuk e di a e kanë pranuar Kosovën si vendin e tyre, por do shpresoja që njerëzit ta kuptojnë se ky është një entitet që ka të ardhme evropiane”.
“Një shprehje thotë: Nëse nuk mund t’i mundësh, atëherë bashkojuni”.
“Të dyja palët duhet të marrin pjesë në proces. Qeveria duhet të ofrojë shpërblime në mënyrë që njerëzit ta pranojnë të jenë pjesë e procesit”.
Daan Everts nuk ka pranuar të flasë për procesin e bllokuar të reformës zgjedhore, por ka qenë kritik ndaj imponimeve të mëtejme të ndërkombëtarëve në çështje të politikës brenda Kosovës.
“Do të ishte e gabuar nëse priten vendimet nga ndërkombëtarët. Gjithmonë kam besuar që të huajt nuk duhet të rrijnë këtu gjatë dhe nuk duhet ta tejkalojnë mikpritjen”.
Por, ai ka thënë se duhet kohë që Kosova ta krijojë një identitet të vetin si shtet.
“Krijimi i një kombi është një proces i gjatë, nuk kryhet brenda natës. Mos e humbni durimin”.
“Identiteti rritet, zhvillohet me zhvillimin e kombit. Krijimi i kombit nuk është punë e politikanëve, është punë e elitës”.