Pakënaqësi ndaj strategjisë së BE-së për Ballkanin/Kosovën

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, thonë se mosqëndrimi unik për Kosovën është paaftësi e BE-së. Ata thonë se BE-ja nuk po e trajton Kosovën njësoj si vendet e tjera të rajonit.

Lajme

07/02/2018 18:00

Autoritetet në Prishtinë thonë, se kanë pritur më shumë për Kosovën nga strategjia e Bashkimit Evropian për Ballkanin. Shqetësimi i Prishtinës zyrtare është se “pse BE-ja nuk po e trajton njësoj Kosovën sikurse edhe vendet e tjera të Ballkanit”. Strategjia e re e BE-së për Ballkanin ka parashikuar afate kohore vetëm për Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa vendeve të tjera si Shqipërisë, Maqedonisë, Bonjë e Hercegovinës dhe Kosovës nuk u janë caktuar afate kohore për anëtarësim.

Udhëheqësit e institucioneve kryesore thonë, se Kosova ka shënuar një varg arritjesh të cilat “do të duhej të njihen dhe pranohen nga Bashkimi Evropian”. Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj thotë, se “në strategjinë për Zgjerim të BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të publikuar nga Komisioni Evropian, Republika e Kosovës trajtohet në mënyrë asimetrike, pa qartësi për të ardhmen e saj evropiane, duke renditur vetëm kushtet dhe jo stacionin e Kosovës”.

“Kosova ka implementuar shpejtë dhe me efikasitet prioritetet kyçe të listuara në Agjendën e Reformave Evropiane (ERA 2017), dhe kështu ka bërë progres të konsiderueshëm në përmbushjen e kritereve të përgjithshme të MSA-së. Qeveria e Kosovës ka pritur që ky progres të jetë i mjaftueshëm për të qartësuar rrugën që ka Kosova para vetes për të fituar statusin kandidat, ashtu siç ishte me të gjitha shtetet e tjera të rajonit dhe Strategjia e Zgjerimit të jetë mundësi dhe udhërrëfim i barabartë për të gjithë, e jo vetëm të listojë kriteret pa i renditur rezultatet e arritura”, thuhet në një deklaratë të qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme për sfidat që ka përpara, por sipas saj, “është tejet e rëndësishme që Bashkimi Evropian të ketë politikë të qartë ndaj Kosovës, në mënyrë që të avancojë procesin e saj të integrimit, dhe të mos rrezikohen arritjet e përbashkëta për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit. Këto janë edhe pritjet e qytetarëve të Kosovës, të cilët presin nga Bashkimi Evropian trajtim të barabartë si për të gjithë qytetarët evropianë”.

Qeveria e Kosovës shpreson që viti 2018 të jetë kur “Kosova me punën dhe përkushtimin e saj e fiton statusin kandidat dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.”

Kritikë ndaj BE-së për “mostrajtim të barabartë të Kosovës sikurse me vendet e rajonit”, ka shprehur edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci. Ai thotë se “kjo qasje jo e drejtë ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së”. Thaçi megjithatë e vlerëson përpjekjen e BE-së për të rritur përkushtimin dhe nxitur reformat në shtetet e rajonit.

“E mirëpres hartimin e këtij dokumenti strategjik për Ballkanin, i cili e trajton Kosovën si pjesë integrale të planeve për zgjerim të Bashkimit Evropian. Megjithatë, për arsye të njohura politike, fatkeqësisht, ky dokument nuk ka arritur të paraqesë një perspektivë të anëtarësimit gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjitha vendet e rajonit. Në veçanti, kjo strategji ka dështuar të ofrojë qartësi për anëtarësimin e Kosovës në BE. Kjo qasje jo e drejtë ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së, respektivisht e paaftësisë së BE-së për një qëndrim unik për Kosovën. Por, Kosova nuk do të zhytet në dëshpërim”, është shprehur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ministrja e Integrimeve Evropiane në qeverinë e Kosovës Dhurata Hoxha nga ana e saj, pavarësisht nga kritikat e shefave të saj ndaj BE-së, thotë se Kosovës i mbetet të përfundojë detyrat dhe obligimet e saj në mënyrë që të ecë me hapa të shpejtë drejt BE-së.

“Ne e mirëpresim strategjinë e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, pjesë e së cilës është edhe Kosova. Bashkimi Evropian na ka hapur derën dhe ne duhet të kalojmë në këtë derë. Në këtë fazë kemi pritur më shumë dhe hapa më konkret drejt këtij procesit të integrimit, por megjithatë integrimi jonë në BE nuk ka alternativë”, u shpreh ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha. Për ministren Hoxha, “Fakti që Bashkimi Evropian e trajton procesin e aderimit të Kosovës në BE të ndarë nga Serbia thotë mjaft”, dhe për të do të thotë “njohje e shtetësisë së Kosovës”, përkundër mosnjohjes së Kosovës shtet nga pesë vende anëtare të BE-së.

Sidoqoftë, autoritetet e Prishtinës pavarësisht nga kritikat thonë, se Kosova duhet ta shfrytëzojmë potencialin e plotë të strategjisë së BE-së për Ballkanin për të avancuar pozicionin në rrugën drejt anëtarësimit, për zbatimin e reformave të nevojshme evropiane dhe për të përmbyllur procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja./DW