Pafuqia e të gjithëve

Është vështirë të besohet që në Universitet do të ndodhë nisja e ndreqjes, nëse prishja është tipari mbizotërues në politikën dhe në shoqërinë kosovare.

Opinion

09/02/2014 13:21

Ibrahim Gashit, Rektorit të derimbramshëm (8 shkurt), të Universitetit Publik të Prishtinës, i ra hise të jetë pika qendrore e një lufte të egër politike, ku më nuk zgjedhen mjetet politike, mjetet e lëngëta dhe ato të ngurta, as fjalët që po marrin formën e fyerjeve, sharjeve dhe përbuzjeve të të gjitha llojeve, në sendërtimin e një qëllimi.

Ky qëllim, mbase, po i rri mirë asaj të moçmes shqiptare: Bane Zot llugë. E pastaj shohim e bëjmë.

Në Kosovën e dimrit të këtij viti nuk ka borë, nuk ka shi, nuk ka ujë, por ka të reshura sa të duash në trajtë të emocioneve të shumta, frustrimeve të çdollojshme, inateve patologjike, urrejtjes që merr formën e ndarjes në kampet armiqësore, të cilat synojnë që në istikamet e hapura në Rastin Gashi të krijojnë frontet e qëndrueshme deri në mbylljen e kutive të votimit, në zgjedhjet parlamentare të këtij viti.

Ish-Rektori Gashi, në fakt, ishte gjithqysh, vetëm maja e ajsbergut. Çka është më e keqja, përfundi tij, nuk është një mal me akull që nuk shihet dot, por është një grumbull marramendës i problemeve të shtresuara vit pas viti, decenie pas decenie, për shkaqet e shumta, ku përgjegjësia reale kosovare daton prej vitit 1999 e këndej.

Universiteti i sotëm Publik i Prishtinës, tash e sa kohë, është në fakt prodhues sistematik i telasheve e jo krijues i kuadrove të reja për shoqërinë kosovare. Ky Universitet është një mekanizëm afatmesëm, disavjeçarë, për blerjen e paqes sociale në vend. Universiteti i Prishtinës në masë madhe shfaqet si iluzion, e jo realitet, i një arsimi të mirëfilltë sipëror. Dhe gjithsesi, ky Universitet në vete ngërthen luftërat politike të të gjitha llojeve: për votat dhe shpirtrat e dhjetëra mijëra studentëve, të prindërve të tyre, të ligjëruesve.

Një Universitet publik do të duhej ta licenconte ardhmëninë stabile në një vend. E në rastin tonë, ai në radhë të parë ‘mandaton’ deputetë dhe politikanë, revolucionarë politikë dhe shoqërorë të të gjitha llojeve, shpëtimtarë të shpirtit dhe trupit të shqiptarëve dhe të Kosovës në përgjithësi.

Universiteti publik do të duhej ta garantonte fuqinë-në-ardhje, në trajtë të dijes dhe të përgatitjes së çdollojshme, për organizimin politik, shoqëror, ekonomik, kulturor, shkencor, edukativ të Kosovës.

Ndërsa ky Universitet publik  (i Prishtinës), po na dëshmon, edhe me këto ngjarjet e fundit, shkallën e injorancës, rrëmujës, arrogancës dhe të pafuqisë që karakterizon, të themi hapur këtu, jo vetëm Universitetin por edhe gjithë politikën dhe shoqërinë kosovare.

Si na u shfaq pafuqia, ta zëmë? Deri të shtunën mbrama, ajo kishte formën edhe të pafuqisë të vetë Rektorit që të ofrojë dorëheqjen e tij, edhe pse objektivisht, akti i tij tash e sa ditë dukej si i pashmangshëm. Pastaj, ajo kishte edhe trajtën e pafuqisë së protestuesve që të mbajnë gjallë idenë për të pasur të drejtën e kërkesave të tyre, duke iu shmangur dhunës së përdorur ditëve të fundit. Më në fund, kulmi i pafuqisë sërish pati transmetimin live në seancat e Kuvendit, ku kjo përbërje e ligjvënësve kosovarë edhe një herë dështoi për të përfunduar si duhet një seancë, si dhe në hutinë e shpeshtë të Qeverisë së Kosovës për të marrë një qëndrim të prerë karshi sprovave të këtij lloji.

Të gjithë pra dolën në pafuqishëm në këtë rrëfim. Po ashtu, mbase, të gjithë dolën me fasha, të dërrmuar dhe të komprometuar nga kjo ngjarje.

Ndryshimi ndodhi, dikush mund të thotë. U bë diçka. Rektori u detyrua të tërhiqet nga posti i tij. Po paralajmërohen nisma të reja për një shqyrtim gjithëpërfshirës të gjendjes në Universitetin Publik të Prishtinës. Ky shqyrtim mund të sjellë edhe këndelljen në këtë institucionit më të rëndësishëm arsimor të Kosovës. Ndoshta.

Por, është vështirë të besohet që në Universitet do të ndodhë nisja e ndreqjes, nëse prishja është tipari mbizotërues në politikën dhe në shoqërinë kosovare.

Me gjithë këtë pafuqi dhe komprometim të shpërfaqur ditëve të fundit, po kuptohet sa jemi të varur, tmerrësisht madje, prej njeri-tjetrit, si në rrugë, në raportin protestues-polic, në Kuvend, në shoqëri në përgjithësi, ndërsa njëkohësisht, jemi futur, tmerrësisht, në një rrugë që njeh vetëm urrejtjen si orientimin e vet.

Bane Zot llugë është parimi i vetëm politik, sot në Kosovë.

A do të thotë kjo që ne mbledhim mend veç kur i bimë murit me kokë?

Në at’ udhë jemi nisë.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)