Pacolli tash mendon se CEFTA ishte një gabim

Sipas presidentit të AKR-së, marrëveshja e CEFTA-s ishte e panevojshme për një ekonomi si Kosova, e cila sektorin e eksportit e ka mjaft të pazhvilluar.

Lajme

21/05/2014 18:30

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, gjatë një ligjërate për studentët e Gjakovës, e ka vlerësuar të gabueshme nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë midis vendeve të Evropës juglindore, e njohur me emrin CEFTA, raporton KosovaPress.

Ai ka adresuar disa kritika për proceset nëpër të cilat ka kaluar Republika e Kosovës nga paslufta në fushën e ekonomisë, procese këto që janë zhvilluar derisa ai ka qenë zëvendëskryeministër.

“Nuk e kuptoj pse është dashtë një vend si Kosova të jetë pjesë e marrëveshjes së CEFTA-s. E kuptoj çështjen e MSA-së, por Kosova nuk ka përfituar nga kjo marrëveshje dhe deri sot prodhimi vendor është dëmtuar. Nuk është patriotizëm t’iu kërkohet qytetarëve të blejnë një mall më të shtrenjtë vendës, por patriotizëm është të krijohen kushte të favorshme për prodhimin vendës”, ka thënë Pacolli.

Pacolli ka folur edhe për zonat ekonomike, duke e zgjeruar idenë edhe matanë kufijve.

“Gjakova është një vend strategjik që lidhet me komunat matanë kufirit me Shqipërinë. Ideja për zgjerimin e zonave ekonomike është çështje me të cilën do të vazhdoj të merrem edhe në qeverisjen e ardhshme. Trumbetimi në hava për bashkimin kombëtar duhet të konkretizohet në sferën e ekonomisë dhe kjo duhet të konsiderohet patriotike sot, mirëqenia e qytetarëve tanë”, është shprehur ai.

Studentët u interesuan edhe për mendimin e tij lidhur me fuqinë ekonomike të Kinës, me ç’rast Pacolli numëroi avantazhet dhe disavantazhet e saj.