Pacolli shprehet optimist: Brenda disa muajsh mund të ketë marrëveshje finale Kosovë-Serbi

Pacolli pas takimit me Lajçak: Brenda disa muajsh mund të ketë marrëveshje finale Kosovë-SerbiKryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka takuar në Zyrat e BE-së në Prishtinë, Miroslav Lajçak, të Dërguarin e Posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Lajme

14/10/2020 18:08

“Ishte një takim i frytshëm me Lajçak. Më informoi për çdo gjë që ka bërë drejt përfundimit të procesit të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe normalisht i dhashë mbështetjen time dhe i thash se ai duhet të ecë përpara dhe të mos ta braktisë këtë ide”, është shprehur Pacolli para gazetarëve.

“Unë jam ithtar i madh i dialogut dhe paqes. Kuptova se është bërë punë e madhe. Ashtu siç ka thënë Josep Borrell, brenda disa muajsh mund të pritet marrëveshja finale”.

Pacolli ka thënë lidhur me marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, se është pro që të respektohen marrëveshjet e nënshkruara.

“Besoj se një marrëveshje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është nënshkruar dhe unë kam shumë vështirë që të mos respektohet diçka që është nënshkruar. Në biznes nëse është nënshkruar diçka duhet të impelmentohet 100 përqind”.

“Ajo marrëveshje ka qenë në Gjykatën Kushtetuese dhe ka marrë formën e drejtë dhe nëse Gjykata Kushtetuese e ka miratuar një marrëveshje të tillë është dashur të konsiderohet si e nënshkruar. Nuk besoj se do ta rihapë dikush këtë temë sepse ajo ka kaluar. Është nënshkruar më 2013 dhe është miratuar nga Gjykata Kushtetuese, gjegjësisht është adaptuar me norma kushtetuese ku Asociacioni nuk do të ketë fuqi ekzekutive”.

“Kosova është plot asociacione”.