Pacolli kërkon mbështetje për Kosovën nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli është duke marrë pjesë në Samitin e Frankofonisë, i cili po mbahet në Jerevan të Armenisë.

Lajme

10/10/2018 16:29

Pacolli gjatë pjesëmarrjes së tij është duke lobuar për mbështetje ndaj Republikës së Kosovës, për anëtarësimin e vendit në Organizata Ndërkombëtare.

Për këtë qëllim, sipas njoftimit të dërguar për media, ai zhvilloi takim me ministrin e Shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Zaki Anawar. Në takim u bisedua për avancimin e bashkëpunimit bilateral për të gjitha fushat e interesit të përbashkët dhe për bashkëpunim ekonomik.

Gjatë qëndrimit të tij, Pacolli u takua edhe me ministra tjerë të Punëve të Jashtme nga shtetet anëtare të kësaj Organizate.

Njoftimi i plotë:

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, po vazhdon lobimin sistematik me homologë të tij në kuadër të Samitit të Frankofonisë, i cili po mbahet në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, më qëllimin e sigurimit të një mbështetje të gjerë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatata Ndërkombëtare.

Në funksion të këtij qëllimi, ai sot ka zhvilluar një takim me Ministrin e Shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Zaki Anawar Nusseibeh, me të cilin ka diskutuar në lidhje me avancimin e bashkëpunimit bilateral në të gjjtha fushat e interesit të përbashkët; shkëmbimin e përvojave në mes dy vendeve; bashkëpunimin ekonomik; si dhe në lidhje me mbështetjen për anëtarësimin në Organizata Ndërkombëtare dhe agjendën multilaterale.

“Zhvillova një takim konstruktiv dhe shumë përkrahës me Ministrin e Shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Zaki Anawar Nusseibeh, me të cilin diskutuam avancimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat e interesit reciprok; shkëmbimin e përvojave në mes dy vendeve, bashkëpunimin ekonomik, si dhe mbështetjen për anëtarësimin në Organizata Ndërkombëtare dhe agjendën multilaterale”, ka thënë kryediplomati kosovar, Pacolli.

Numri dy i Qeverisë, gjatë qëndrimit dhe pjesëmarrjes në Samitin e Frankofonisë në Jerevan ka takuar disa Ministra të Punëve të Jashtme nga shtetet anëtare të kësaj Organizate, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit reciprok si dhe sigurimin e mbështetjes për anëtarësim e vendit tonë në Organizata Ndërkombëtare.