Pacolli: Isha me Mustafën në shtëpi, më informuan se ka ardhur edhe Thaçi
Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka pranuar takimin e tij me Mustafën e Thaçin. Ai tha se para orës 12 të mesnatës ishte duke ndenjur me Mustafën, ndërsa pas mesnate ka vazhduar të bisedojë me Hashim Thaçin.
Lajme
Duke duke folur në lidhje me takimin e tij në ditën kur po mbyllej mundësia për të paraqitur koalicionet parazgjedhore në KQZ, Pacolli ka thënë se nuk ka parë ndonjë të keqe nga këto biseda.
Ai në “Debatin Zgjedhor” në Klan Kosova ka treguar se në bisedat e bëra është folur edhe për koalicionin. Sipas tij, ofertë për koalicion parazgjedhor ka pasur nga të dy liderët, Hashim Thaçi e Isa Mustafa.
“Nuk kam qenë vet, kam pasur edhe njerëz të tjerë. Ata kanë ardhur dhe asgjë s’kam parë të keqe. Kanë qenë musafirë të mi dhe kemi ndejtur”.
“Kur erdhi Isa Mustafa, më informuan që në një ambient tjetër është zoti Thaçi.
“Oferta ka qenë evidente, që të hyjmë në koalicion. Nga të dyja partitë, PDK e LDK”.
Arsyeja pse Pacolli s’ka pranuar koalicionin, siç tha ai, është zotimi se partia e tij do të udhëheqë në qeverinë e ardhshme.
Por, kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila e sheh si dobësi të Thaçit e Mustafës kërkesën e tyre për t’u bashkuar me AKR-në.
“Mustafa e tregon pasigurinë e tij për të menaxhuar me procesin zgjedhor. Njëjtë mund të themi edhe për PDK-në. Këta po e tregojnë dobësinë e vet për të kërkuar forcë shtesë”.
“Nëse janë të forta të kandidojnë vetë, përse insistojnë në këtë mënyrë”, ka thënë ajo.