Pacolli i afrohet Mustafës, koalicion pas zgjedhjeve

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) janë marrë vesh për bashkëqeverisje, në rast se partia e Isa Mustafës fiton zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 qershor.

Lajme

13/05/2014 11:55

Pas një takimi disa orësh të hënën mbrëma ndërmjet liderëve të tyre, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacolli, LDK-ja dhe AKR-ja janë marrë vesh për bashkëpunim ndërmjet tyre, por vetëm pasi të përfundojnë zgjedhjet e 8 qershorit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re njoftojnë opinionin publik se kanë zhvilluar takime intensive sa i përket bashkëpunimit për zgjedhjet e 8 qershorit.

“Pas takimit të sotëm ndërmjet kryetarit të LDK-së, z.Isa Mustafa, dhe presidentit të AKR-së, z.Behgjet Pacolli, LDK-ja dhe AKR-ja në parim janë pajtuar që programet e të dy palëve kanë ngjashmëri dhe garantojnë zhvillim të Kosovës, në interes të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në një njoftim të LDK-së.

“LDK-ja dhe AKR-ja do të garojnë të vetme në zgjedhje, ndërkaq detajet e bashkëqeverisjes pas zgjedhjeve do të konkretizohen në ditët në vijim”.

AKR aktualisht është në koalicion qeverisës me PDK-në. Ftohja mes këtyre dy partive është vërejtur prej muajsh, e veçanërisht në seancën e fundit parlamentare, kur AKR votoi kundër shpërbërjes së Kuvendit.

Partia e Pacollit është shprehur e sigurt se do të kalojë pragun zgjedhor edhe pse ka pak kohë për të dëshmuar “qeverisjen e mirë” në Mitrovicë e Gjakovë. AKR parapëlqente zgjedhjet në vjeshtë, për siç ishte shprehur Pacolli, mundësitë për të organizuar më mirë mbarëvajtjen e tyre.