Pacolli ende nuk e ka ndarë mendjen për të mos kandiduar për kryetar të AKR-së

Themeluesi i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se do të tërhiqet nga udhëheqja me këtë parti. Ai nuk e përjashton mundësinë që në vend të tij të ulet një femër.

Lajme

03/03/2015 22:16

Unë nuk besoj se do të kandidoj për arsye se duhet të hapet perspektiva për njerëzit e rinj, njerëzit me energji, njerëzit që kanë vullnet dhe dituri që të punojnë, tha Pacolli për Klan Kosova.

Vendin e tij ka mundësi ta zë një femër. Një mundësi të tillë e pranoi edhe Pacolli, i cili tha se në AKR përveç kreut do të ketë edhe shumë figura të tjera.

“Ka njerëz që vijnë nga Perëndimi, kur e them nga Perëndimi, për arsye se ne jemi duke vuajtur në Kosovë për shkak të vetëdijes së ulët “, shtoi ai.

Pacolli beson se ata që do të vijnë do të jenë ndryshe nga qeveritarët e Kosovës, pasi që sipas qeveritarët e sotëm nuk e kanë aftësinë për të zhvilluar vendin, duke apostrofuar me këtë rast kryeministrin Isa Musafa dhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi.

“E fajësoj shumë z.Thaçi që asnjëhere në mënyrë serioze nuk është ulë dhe me folë për zhvillimin ekonomik. Nuk ka pas absolutisht vullnet të flet për ekonomi për arsye se ai nuk e ka ditë qysh bohen ato sene”, tha Pacolli.

Sipas tij, plani qeverisës i Isa Mustafës është i pazbatueshëm.