Pacolli: BE po tejkalon lodhjen e zgjerimit, i është rikthyer seriozisht rajonit tonë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli e ka quajtur lajm të mirë përfshirjen e Kosovës në strategjinë e zgjerimit të BE-së.

Lajme

06/02/2018 15:33

Ai ka thënë se më këtë strategji BE po tejkalon lodhjen e zgjerimit, ndërsa që për Kosovën hapet një dritare historike për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Pacolli ka përmendur 6 fusha në të cilat Kosova duhet të fokusohet për tu anëtarësuar në BE.

Deklarata e plot e Pacollit:

Lajmi i mirë nga Brukseli është se BE-ja po tejkalon të ashtuquajturën “enlargement fatigue” – lodhjen nga zgjerimi dhe i është rikthyer seriozisht rajonit tonë.

Një perspektivë e besueshme e zgjerimit të BE-së, e që përfshinë Ballkanin Perëndimor është një angazhim i shtuar i Brukselit dhe shteteve anëtare.

Ri-afirmimi i një të ardhme Evopiane të vendeve të Ballkanit Perëndimorë nga Presidenti, Jean-Claude Juncker, hapë perspektivë të re për më shumë stabilitet në fqinjësinë tonë. Ky është obligim i BE-së për të ruajtur perspektivën kredibile të zgjerimit për rajonin.

Me Strategjinë për Zgjerim të BE-së, për Republikën e Kosovës hapet një dritare historike e mundësisë për t’u lidhur në mënyrë të vendosur dhe pa dyshim me të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian.

Republikës së Kosovës i është ofruar mundësi për progres të qëndrueshëm nëpërmjet implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, edhe pse ne kemi kërkuar trajtim të barabartë me vendet tjera të rajonit.

E kemi menduar se për ne është trajtim i pabarabartë formulimi “frontrunners”. Ne kemi sugjeruar, që do të duhej të ofrohej një përkufizim i qartë mbi statusin e kandidatit për Kosovën, si dhe një kornizë e qartë kohore për hapjen e bisedimeve për procesin e anëtarësimit në BE.

Besoj fuqishëm se Kosova sikurse vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë mund të përfitojnë nga një stabilitet dhe prosperitet më i avancuar, e që do të mundësojë perspektivë të qartë evropiane.

Ajo që duhet të na inkurajojë është se procesi i zgjerimit për Ballkanin Perëndimorë projektohet në frymën e procesit të Berlinit, që parasheh involvimin e vet BE-së në Planin e Veprimit për Mbështetjen e Transformimit të Ballkanit Perëndimor, në fushat si në vijim:

  1. Forcimin e mbështetjes për sundimin e ligjit, ku përfshihet matja e reformave në gjyqësi, luftimi i korrupsionit, mbështetja nga ekspertët e Shteteve Anëtare, monitorimi i proceseve gjyqësore, përkrahje e mediave të pavarura dhe shoqërisë civile, etj;
  1. Shtimin e angazhimit në aspektin e sigurisë dhe migracion: angazhim i përbashkët kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, postimi i oficerëve ndërlidhës të Europolit në të gjithë rajonin, marrëveshje bashkëpunimi me Eurojust, ngritja e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike dhe krimit kibernetik, menaxhimi i kufirit, krijimi i qendrave koordinuese kombëtare për kontrollin e kufirit, bashkëpunim në Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri/ Siguria e Përbashkët si dhe Politika e Mbrojtjes, etj;
  1. Përkrahje në zhvillimin socio-ekonomik, në të cilën përfshihen: Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, garancitë për investimet private, zhvillimi i sektorit privat, rritja e potencialit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përkrahja e hulumtimeve dhe ndërtimi i kapaciteteve të inovacionit, lehtësimi i tregtisë, forcimi i programit për reforma ekonomike, rritja e fokusit në punësim dhe në reformat sociale, etj;
  1. Angazhim në shtimin e lidhjes infrastrukturore, pjesëmarrjen e autoriteteve dhe organizatave të Ballkanit Perëndimor në punën e rrjetit të rregullatorëve të energjisë dhe operatorëve të sistemit të transmisionit dhe shpërndarjes;
  1. Përkrahje në agjendën e digjitalizimit;
  1. Mbështetja e pajtimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore./Lajmi.net/