Paçarizi: Kurti, Rama dhe Abazoviq janë egocentrikë, nuk mund të bashkëpunojnë

Lajme

19/05/2022 23:51

Sipas opinionistit Rrahman Paçarizi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, nuk mund të kenë raporte të afërta me njëri-tjetrin, kjo pasi që të tre karakterizohen nga egocentrizmi.

“Unë nuk shoh ndonjë mundësi përafrimi, koordinimi, harmonizimi qëndrimesh mes këtyre tre personave të cilët e kanë një egocentrizëm të stër-theksuar, që të tre janë njësoj në këtë pikë. Deklarimi i Abazoviqit për Ballkanin e Hapur definitivisht e largon nga Kurti, i cili nuk do të guxojë së paku edhe për një kohë në Kosovë të deklarohet pro Ballkanit të Hapur, apo ndoshta edhe sinqerisht angazhohet kundër Ballkanit të Hapur, apo nuk e sheh si opsion, ndërkohë që Abazoviq nuk është i interesuar që të afrohet me Ramën, sepse nuk ka një traditë të mirë të bashkëpunimit të Shqipërisë me Malin e Zi”, tha Paçarizi në Rubikon.

Duke folur tutje për marrëdhëniet e liderëve shqiptarë të rajonit, Paçarizi tha se ish-presidenti Thaçi pati ndërtuar një traditë bashkëpunimi të Kosovës me Malin e Zi dhe Shqipërinë.

“Kosova ka traditë të mirë bashkëpunimi me Malin e Zi, të cilën e ka ndërtuar Thaçi, i cili ka pas ndërtuar traditë raportesh të mira edhe me Edi Ramën, ndonëse në Kosovë është kritikuar se i nënshtrohet Edi Ramës, e lejon të përzihet më shumë se që duhet në punën e Kosovës e kështu me radhë”, tha Paçarizi.