Pa marrëveshje për vendet e rezervuara

Në takimin e sotëm për reformën zgjedhore, nuk është arritur marrëveshje për ulëset e rezervuara të komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës. Dakordimi është arritur për pragun, kohëzagjtjen e fushatës dhe për zonën zgjedhore.

Lajme

16/12/2013 15:01

Në takimin e sotëm për reformën zgjedhore përfaqësuesit e partive politike nuk kanë arritur t’i finalizojnë të gjitha çështjet e hapura.

Ndër çështjet kryesore që ka mbetur e pambyllur është ajo e vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës.

Siç mëson lajmi.net, LDK është shprehur kundër vendeve të rezervuara në takim, përderisa për vazhdimin edhe për një mandat të tyre thuhet se janë shprehur PDK, AKR, AAK dhe minoritetet.

Në përmbyllje të pavarësisë së mbikëqyrur, liderët e Kosovës, krahas zotimeve të dhënë në atë kohë para Grupit Drejtues Ndërkombëtare, kanë premtuar gjithashtu se do ta japin edhe një mandat shtesë për ulëset e rezervuara.

Pas takimit të mbajtur në rezidencën e Ambasadorit Britanik, Ian Cliff, Kryeministri Thaçi nuk është deklaruar para mediave, por disa minuta më vonë ai ka njoftuar rreth takimit në llogarinë e tij në Facebook.

“Sapo përfundova takimin me liderët politikë rreth reformës zgjedhore. Takimi ishte konstruktiv dhe në fryme pozitive. I falënderoj të gjithë liderët pjesëmarrës”.

“Pajtohemi të gjithë që Kosova të ketë një zonë zgjedhore, që të kemi 14 ditë fushatë, që pragu për të hyrë në Kuvend të jetë 2.5 % për kandidatë të pavarur, 5% për parti dhe 7.5% për koalicione parazgjedhore”.

“Mbetet çështja e participimit të garantuar prej 30% të gjinisë femërore, që kërkon edhe ndryshime kushtetuese. Të hapura mbeten edhe çështjet: eliminimi i votave me kusht, e drejta për të pasur dy pozita (legjislativi ose ekzekutivi), përbërja e KQZ-së si dhe çështja e ulëseve të rezervuara për një apo dy mandatet e ardhshme, për të cilat duhen ndryshime kushtetuese”.

Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli, pas takimit, ka deklaruar se është arritur një marrëveshje për një takim tjetër për reforma zgjedhore.

“Unë besoj se do të ndodhë reforma zgjedhore do të pasojë shumë shpejt takim me liderët e partive parlamentare”.

“Kemi diskutuar këtu disa çështje dhe kanë mbetur edhe disa çështje për t`u diskutuar, por pason edhe një takim me liderët e partive”.

Pacolli nuk është përgjigjur drejtpërdrejt në pyetjen nëse partia e tij përkrah vazhdimin e mandatit për ulëset e rezervuara.

“Ne jemi parti konstruktive”, ka thënë ai.

“Nuk e kemi diskutuar gjerë e gjatë këtë çështje, mbetët të diskutohet në takimin e radhës”

Ministri Nenad Rasic, ndërkaq, ka thënë se nuk është arritur marrëveshje për ulëset e rezervuara, por se takimet do të vazhdojnë.

Por, nëse nuk arrihet një marrëveshje për këtë çështje, Rasic ka thënë se kjo mund të shkaktojë telashe në Veri.

“Nuk kemi pajtueshmëri, kemi biseduar për argumente pro. Shpjeguam shumë saktë që kjo është përfitim i Kosovës, nuk është përfitim i një komuniteti”.

“Më vjen keq që ditët e fundit u prezantua një përshtypje se serbët po përfitojnë nga ky proces. Përkundrazi, konsiderojmë që Kosova po fiton. Autoriteti i Kosovës do të ishte në nivelin maksimal, duke pasur një përkrahje për komunitetet”.

“Faktori ndërkombëtar po mendon që një lëvizje në këtë drejtim është pozitive për Kosovën, sepse gjithmonë kjo po shikohet si një proces politik, i cili, në një planifikim afatgjatë, mund të prodhojë një kualitet politik dhe po ashtu kualitet të demokracisë”.

“Ne do të vazhdojmë negociatat. Nuk ka kurrfarë marrëveshje. Për ne si komunitet është me rëndësi që të kemi një përkrahje nga të gjitha subjektet politike”.

“Në esencë, ideja në një formë është përkrahur. Ndoshta nuk jemi sqaruar sa duhet me të gjitha partitë politike. Konsideroj se në fund do të kemi një rezultat pozitiv”.

“Nëse nuk vazhdohet mandati për vendet e rezervuara, më vjen keq që po them, por është e mundur që të krijohen kushte që Veriu i Kosovës të mbetet si një konflikt i fshehur, ku institucionet tjera politike mund ta përdorin si arsye pse serbët e Veriut nuk mund të  integrohen”.

 

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net