Pa gjykata s’ka sovranitet

Presidentja e Shoqatës së Gjykatësve të Serbisë, Dragana Boljevic ka vlerësuar se largimi i gjykatave serbe nga Kosova, tregojnë heqje dorë nga sovraniteti. Ajo thotë se një vendim i tillë, bie ndesh me Kushtetutën e Serbisë.

Lajme

05/01/2014 14:19

Presidentja e Shoqatës së gjykatësve të Serbisë, Dragana Boljevic ka vlerësuar se paralajmërimi për largimin e gjykatave serbe nga Kosova është në precedent i cili bie në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.

Me largimin e gjykatave, Boljevic tha se shkelet sovraniteti shtetëror i Serbisë që, sipas saj, ka mbi territorin e Kosovës.

Dragana Boljevic, Presidente e Shoqatës së Gjykatësve të Serbisë

“Nuk mund që të ketë sundim të ligjit me shkelje të kushtetutës. Nëse me anë të një vendimi politik bëhet tërheqja e organeve të drejtësisë nga territori i vet, atëherë kjo i bie që faktikisht po heq dorë nga sovraniteti”.

Ende nuk është saktësuar qartë nëse ka një dakordim në mes të palës kosovare edhe asaj serbe në bisedimet në Bruksel, lidhur me organizimin e organeve të drejtësisë në Veri të Kosovës.

Përderisa pala kosovare thotë se duhet të ketë një Gjykatë dhe Prokurori Themelore në Jug të Mitrovicës e cila do të shërbente edhe për Veriun, pala serbe ka paraqitur pakënaqësitë lidhur me këtë propozim, duke thënë se këto institucione të jenë të vendosura në Veri të Mitrovicës.