Ozil thyen heshtjen: Kam ende një lidhje të fortë me tifozët e Arsenalit, nuk do të dorëzohem

Mospërfshirjen e tij në listën prej 25 lojtarëve për sezonin e Premierligës nuk e ka pritur mirë Mesut Ozil.

Sport

21/10/2020 13:34

Ozil, që u transferua te Topçinjtë shtatë vite më parë, është duke kaluar kohët më të vështira prej që është te klubi londinez. Ai është injoruar totalisht, pavarësisht se ardhja e trajnerit Mikel Arteta disi solli shpresa te ai.

Mesfushori turko-gjerman më në fund ka reaguar përmes një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale, ku shkruan se pavarësisht ndodhive, ai ende do të luftojë për një vend në formacion, transmeton lajmi.net.

Reagimi i plotë i Ozil: 

”Ky është një mesazh i vështirë për t’u shkruar tifozëve të Arsenalit për të cilët kam luajtur gjatë viteve të fundit. Jam vërtet i zhgënjyer thellë nga fakti që tani për tani nuk jam regjistruar në sezonin e Premierligës. Me nënshkrimin e kontratës sime të re në 2018, u zotova për besnikëri ndaj klubit që unë dua, Arsenal, dhe më trishton që kjo nuk është kthyer me të njëjtin respekt. Siç kam zbuluar tani, besnikëria është e vështirë të arrihet në ditët e sotme. Gjithmonë jam përpjekur të qëndroj pozitiv nga java në javë se ka ndoshta një shans të kthehem së shpejti në skuadër. Prandaj kam heshtur deri tani. Para pushimit të koronavirusit, unë isha vërtet i kënaqur me zhvillimin nën drejtimin e trajnerit tonë të ri Mikel Arteta – ne kemi qenë në një rrugë pozitive dhe do të thoja që performancat e mia ishin në një nivel vërtet të mirë.

Por pastaj gjërat ndryshuan, përsëri, dhe unë nuk u lejova më të luaj futboll për Arsenalin. Çfarë tjetër mund të them? Në Londër ende ndihem si në shtëpi, unë ende kam shumë miq të mirë në këtë ekip dhe ende ndiej një lidhje të fortë me tifozët e këtij klubi. Pavarësisht nga çfarë, unë do të vazhdoj të luftoj për shansin tim dhe të mos lejoj që sezoni im i 8-të në Arsenal të përfundojë kështu. Mund t’ju premtoj se ky vendim i vështirë nuk do të ndryshojë asgjë në mendjen time – unë do të vazhdoj të stërvitem sa më mirë që të mundem dhe kudo që është e mundur të përdor zërin tim kundër çnjerëzimit dhe për drejtësi”.

Ozil ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij, nga është lojtari më i paguar te Arsenali. Verën tjetër, ai do të jetë lojtar i lirë. /Lajmi.net/