OVL-UÇK pa kontakt me Qeverinë e Kosovës, Faton Klinaku tregon se a po organizohet protestë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare vazhdimisht ka patur ankesa në drejtim të Qeverisë së Kosovës. Kjo për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të tyre. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe së fundi, ku ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të OVL-UÇK-së Faton Klinaku ka deklaruar se Qeveria Kurti ka punuar kundër veteranëve…

Lajme

18/06/2024 13:52

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare vazhdimisht ka patur ankesa në drejtim të Qeverisë së Kosovës.

Kjo për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të tyre.

Një gjë e tillë ka ndodhur edhe së fundi, ku ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të OVL-UÇK-së Faton Klinaku ka deklaruar se Qeveria Kurti ka punuar kundër veteranëve të UÇK-së.

Sipas tij deri tek protestat e organizuara nga OVL-UÇK erdhi si shkak që Qeveria hoqi veteranët nga paga minimale.

Në lidhje me këtë çështje, Klinaku ka deklaruar se ka biseduar edhe me disa deputetë të Kuvendit të Kosovës të cilët e kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese vendimin për heqje të veteranëve të UÇK-së nga Ligji për Pagën Minimale.

Në media u raportua po ashtu se OVL-UÇK është duke organizuar mbajtjen e një proteste kundër Qeverisë së Kosovës dhe vendimit për Pagën Minimale.

Por në një deklarim për lajmi.net, Klinaku e ka mohuar një gjë të tillë.

Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për organizim të protestës.

“Nuk do të mbajmë protesta siç është thënë, pa e marrë Gjykata Kushtetuese vendimin e tyre deri atëherë nuk do të ketë protesta”- ka thënë Klinaku për lajmi.net.

Por ajo që është shqetësuese sipas kësaj organizate është se komunikimin e fundit me dikë nga Qeveria e Kosovës e kanë patur dy vite më parë.

Ndryshe në vendimin e Qeverisë së Kosovës të marrë në vitin 2022 për pagën minimale ishte bërë e ditur se veteranët e luftës së Kosovës nuk do të kenë rritje të pensioneve.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka konfirmuar se nuk do të ketë rritje për këtë kategori.

Murati ka deklaruar se paga minimale paguhet për një orë të punës, ndërsa skemat pensionale dhe sociale përcaktohen në bazë të meritës dhe të kategorisë.

“Në vitin 2017, ka ndryshuar ligji për Veteranët, është votuar në Kuvend. Është fshirë neni 18, që thotë se paga e veteranit përcaktohet me vendim të Qeverisë, por jo më pak se paga minimale. Ai vendim është fshirë. Kështu që, në projektligjin që ne kemi shtyrë përpara, për të qenë të sigurt juridikisht, kemi vendosur që paga minimale kudo që bëhet për skemat pensionale dhe sociale të bëhet kjo shkëputje, që të mos kemi këtë problem. Nuk qëndron kjo. Paga minimale është paga që paguhet për një ore në punë, skemat pensionale dhe sociale pastaj përcaktohen në bazë të meritës, kategorisë”, ka thënë ai.

Mirëpo veteranët e UÇK-së janë të pakënaqur për mospërfshirjen e tyre në këto ndryshime.

Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, përkatësisht 170 euro. Kjo, njëherësh, vazhdon të jetë shuma që marrin ata.

Ata patën protestuar edhe në qershor të vitit të kaluar, duke kërkuar që ndryshimet ligjore të mos miratohen derisa të mos amandamentohet dokumenti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se mbështet dhënien e sa më shumë përfitimeve për veteranët e luftës së fundit në Kosovë, por që përfitimet, sipas tij, nuk janë pagë.

“Paga është për punë, ndërkaq përfitimet janë mirënjohje e shoqërisë, e cila i jepet veteranit të luftës për luftën çlirimtare, fitimtare, e cila është në burim të shtetësisë, pavarësisë e lirisë sonë”.

Kurti ka thënë se do të angazhohet në ligj të ri për veteranët, por që fillimisht faktet duhet të jenë të sakta.

“Unë besoj që në luftën çlirimtare kanë marrë pjesë edhe më shumë se 60 mijë pjesëmarrës, mirëpo ka një lloj trefishimi të numrit të veteranëve. Prandaj është e domosdoshme që gjërat t’i quajmë me emra adekuatë. Veteranët, sipas komandantëve të UÇK-së janë diku rreth 20 mijë, ndërkaq nëse i bashkëngjisim edhe pjesëmarrësit, atëherë do të bëhen edhe më shumë se 60 mijë. Andaj unë jam që të kemi falënderimin e mirënjohjen si shoqëri për të gjithë. Mirëpo nuk mund ta deformojmë luftën çlirimtare të UÇK-së”, pati deklaruar ai.
Aktualisht në bazë të të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e veteranit luftëtarë e kanë 53 mijë e 188 persona, kurse në bazë të të dhënave të ASK-së, 37.006 janë përfitues nga skema e veteranëve të luftës. /Lajmi.net/